Reagime të ashpra ndaj Visar Ymerit

Visar Ymeri ka lëkundur sot edhe më shumë themelet e Lëvizjes Vetëvendosje, me intervistën e parë të dhënë pas shpërthimit të një skandali të brendshëm në partinë e tij, që zbuloi mospajtime dhe dallime të thella ndërmjet anëtarëve të partisë.

Lajme

13/12/2017 23:31

Udhëheqësi i Vetëvendosjes, në një intervistë për “Rubikon” të KTV’së, ka thënë sot se ekziston mundësia që Vetëvendosje të ndahet, nëse nuk zgjidhen mosmarrëveshjet ndërmjet anëtarëve dhe aktivistëve të saj.

Ai po ashtu ka thënë se “asnjëri nga individët nuk duhet ta shohë veten më të rëndësishëm se organizata”, përfshirë ish-kreun e partisë, Albin Kurti. Madje, Ymeri ka thënë se Kurti nuk mund ta privatizojë Vetëvendosjen.

Këto deklarata, e shumë të tjera, nuk i kanë pëlqyer shumë individëve të Vetëvendosjes. Ndaj deklaratave të Ymerit në intervistë kanë reaguar menjëherë i madh e i vogël në parti – nga anëtarët e Kryesisë, e deri te aktivistët e rëndomtë.

Njëri prej themeluesve të VV’së, Liburn Aliu, ka komentuar se ajo “çka tha sot Visar Ymeri nuk është qëndrimi i shumicës në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.  Madje ato janë të njëanshme dhe nuk paraqesin të vërtetën e plotë”.

Me Ymerin s’është pajtuar as deputetja e Kuvendit të Kosovës nga VV, Fitore Pacolli.Ajo ka thënë se Ymeri nuk e paraqet unitetin e partisë.

Edhe Albulena Haxhiu i ka reaguar Ymerit për Kurtin. “Për mua si aktiviste e deputete, është i papranueshëm kushtëzimi për moskandidimin e Albinit, këtë e them hapur dhe me zë të lartë sa herë të jetë nevoja”, ka thënë ajo.

Kreu aktual i VV’së është sulmuar edhe nga Hysen Durmishi. Ky e ka krahasuar qasjen e Ymerit ndaj Kurtit të ngjashme me atë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Goditje të fortë Ymeri ka marrë edhe nga njeriu i Kurtit në Tiranë. “Njeriu i konsensusit pranoi se nën udhëheqjen e tij, Lëvizja VETËVENDOSJE! është dyfishuar. Njeriu i konsensusit sapo shpiku kultin e “njeriut konsensual”, ka thënë Elvis Hoxha.

Nga Tirana është lajmëruar edhe Hysamedin Feraj. Teksa ka kundërshtuar deklaratat e Ymerit, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të VV’së ka rikonfirmuar lojalitetin e tij ndaj Kurtit. “Prandaj jam me Albin Kurtin! Sepse nuk e pranoi konsensusin për negociata, por kërkoi VETËVENDOSJE!”, ka shkruar ai.

As Xhelal Sveçla nuk është pajtuar me deklaratat e Visar Ymerit. “Disa individë dojnë t’ia imponojnë qëndrimet dhjetramijëra aktivistëve. Le të flasin këta dhjetramijëra aktivistë, në këshillin e përgjithshëm përmes delegatëve të tyre”, ka thënë ai.

Ymerit i ka reaguar edhe aktivisti i VV’së, Valdrin Ahmeti.Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Ahmeti ka drejtuar akuza ndaj Ymerit, duke thënë se ai ishte duke aktruar kur sonte deklaroi se është kundër atyre që po sulmojnë kundërshtarët e ish-udhëheqësit të partisë, Albin Kurti. Ahmeti ka kujtuar një ngjarje nga muaji prill, ku sipas tij, Ymeri i mori fjalën në mënyrë arbitrare. /Express/