Raul, tifozi special i Realit

Legjenda e Real Madridit, Raul thotë se futbollistët e dinë se çka duhet të bëjnë, në kërkim të trofeut të Ligës së Kampionëve. Ai kërkon prej tyre që të përsërisin paraqitjen e fitores në Munich.

Sport

23/05/2014 18:56

Ka mbetur edhe pak më tepër se një ditë e plotë para fillimit të finales së madhe mes Real Madridit dhe Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve. Ish sulmuesi i Los Blancos, Raul ka folur për rëndësinë e arritjes së trofeut të dhjetë kontinental për ish skuadrën e tij.

“Futbollistët e dinë se çka duhet të bëjnë. Është ndeshja e fundit e sezonit, finalja e parë pas 12 vjetësh, e dinë se çka do të thotë La Decima për Real Madridin dhe do ta japin maksimumin”, deklaroi Raul.

Ai dha mendimin e tij se çka duhet të bëjë skuadra për të fituar trofeun.

“Reali ka dëshmuar se ka një mentalitet fitues, duke fituar në një fushë shumë të vështirë si ajo e Bayernit. Nëse ekipi mund të përsërit një paraqitje të ngjashme me atë në Munich, atëherë shanset për të fituar trofeun do të jenë të mëdha. Duhet të japin gjithçka nga vetja për të fituar këtë La Decima”, u shpreh ai.