Rasti Skripal – Johnson paralajmëron masa edhe më të ashpra kundër Rusisë

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, tha se agjencitë britanike të sundimit të ligjit janë duke hetuar individë të pasur rusë me asete në Britani dhe sugjeroi se ata që kanë bërë pasuri për shkak të lidhjeve me presidentin rus, Vladimir Putin, mund të sillen para drejtësisë.

Bota

15/03/2018 12:21

Ai i bëri këto komente të enjten, një ditë pasi Britania ka vendosur të dëbojë 23 diplomatë rusë, si shenjë hakmarrjeje për helmimin e një ish-spiuni rus me agjent nervor, të prodhur në Rusi.

Johnson i mbrojti këto masa, pasi Qeveria britanike është nën presion nga ligjvënësit dhe mediat për t’u treguar e ashpër ndaj Rusisë.

Rusia e mohon përfshirjen në helmimin e Sergei Skripalit dhe të vajzës së tij Yulia, në qytetin Sallsbëri të Britanisë, më 4 mars.

Kremlini tha se kundërmasat e Londrës janë të papërgjegjshme.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të ketë thënë se “përgjigjja e Rusisë do të vijë shpejt”.