Rasti për viza që u prish dy herë nga gabimi i njëjtë

Zgjidhja me efikasitet e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave është refreni i të gjitha personave përgjegjës për sistemin e drejtësisë në Kosovë, megjithatë nga 40 rastet e shënjestuara, jo vetëm që këto ditë nuk ka pasur lëvizje në numrin e rasteve të zgjidhura, e që aktualisht janë 19 në punë, por ka pasur edhe një rast të formës së prerë i cili është prishur me mjet të jashtëzakonshëm juridik.

Lajme

19/04/2018 16:44

Rasti i Ish-prokurores së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Vahide Badivuku, si njëri nga rastet e shënjestruara, u përmend disa herë nga krerët e sistemit të drejtësisë në vend si njëri nga rastet e korrupsionit që tashmë kanë përfunduar me aktgjykim dënues. Megjithatë, për më shumë se 3 vjet ky rast nuk po arrin të marrë formën e prerë.

KALLXO.com ekskluzivisht raportoi se Gjykata Supreme e Kosovës e kishte kthyer në rivendosje këtë rast javën e kaluar, ndërsa nga vendimi i Supremes shihet se aktgjykimi i kësaj çështje është prishur për të dytën herë radhazi, nga një lëshim procedural në Kolegjin e Apelit.

Sipas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me këtë rast, shihet se saktësisht për të njëjtën shkelje, gjyqtarë që nuk kanë pasur të drejtë të vendosin në Gjykatën e Apelit e kanë bërë  këtë duke shkaktuar prishjen e aktgjykimit dhe prolongimin e rastit.

Shkelja e Përsëritur

Ish-prokurorja Badivuku dhe dy të akuzuarit e tjerë të rastit, Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 5 prill 2016 ishin gjetur fajtorë dhe ishin dënuar.

Gjykata Themelore i kishte gjetur fajtore Badivukun për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe e kishte gjykuar ne 3 vjet burg, 5 mijë euro gjobë.

Kelmendi dhe Smakolli ishin shpallur fajtorë për ushtrim ndikimi, Kelemendi ishte dënuar me 1 vjet  e 6 muaj burg ndërsa i dyti me 3 mijë euro gjobë.

Këto dënime ishin vërtetuar nga Gjykata e Apelit e cila më datë 19 shtator 2016 kishte refuzuar ankesat e mbrojtjes.

Këto vendime ishin prishur nga Gjykata Supreme e Kosovës e cila kishte gjetur se dy gjyqtarët e Kolegjit të Apelit që kishin vendosur lidhur me ankesën ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore, Vahid Halili dhe Abdullah Ahmeti kishin marrë pjesë më herët në kolegjin që kishte vendosur sipas ankesës ndaj aktvendimit për hedhje të aktakuzës në të njëjtën çështje.

Ky veprim ishte konsideruar si shkelje esenciale nga Supremja  sepse në marrjen e vendimit në shkallë të dytë kishin marrë pjesë gjyqtarët që duhej të përjashtoheshin.

Megjithatë, edhe pse duke e ditur vendimin e Gjykatës Supreme, edhe në rivendosje u përsërit shkelja e njëjtë nga Gjykata e Apelit, por këtë herë nga një gjyqtarë tjetër.

Në shqyrtimin para Apelit në rivendosje të mbajtur më datë 29 maj 2017, Gjykata e Apelit e vërtetoi pjesën e pjesën e aktgjykimit lidhur me të akuzuarën Vahide Badivuku ndërsa veprën për të cilën akuzoheshin Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli e rikualifikoi nga ushtrimi i ndikimit në dhënie ryshfeti.

Gjithashtu, të akuzuarit Idriz Kelmendi ju shqiptua dënimi me 1 vit burgim.

Mirëpo, edhe kësaj radhe, Gjykata Supreme gjeti se në seancën e Apelit në rivendosje kishte marrë pjesë gjyqtari, Driton Muharremi i cili më herët kishte qenë anëtar i kolegjit në marrjen e aktvendimit lidhur me këtë çështje.

Gjykata Supreme këtë e konsideroi përsëri si shkelje të dispozitave dhe e ktheu çështjen në rivendosje.

E gjithë kjo situatë ndodh kur kanë kaluar gati 3 vjet nga inicimi i këtij rasti dhe ende nuk ka një aktgjykim të formës së prerë lidhur me këtë rast edhe pse dy herë e kishte marrë këtë formë vendimi por është prishur për arsye të shkeljeve procedurale./Kallxo.com