Rasti i vdekjes së aktorit Kurti, po hetohen edhe fajdexhinjtë

Vdekja e aktorit të serialit “O sa mirë” ka ngjallur dyshime të reja në lidhje me rastin. Policia e Kosovës në Gjakovë ka njoftuar se ky rast po shikohet në detaje, dhe se pista e hetimit qysh nga fillimi është zgjeruar.

Lajme

25/04/2018 15:49

Sipas burimeve të Metros në polici, në këtë rast po hetohen edhe disa fajdexhinj, për të cilët dyshohet se mund të jenë të përfshirë në këtë rast.

Se Policia po heton edhe në mundësinë që aktori Kurit të jetë vrarë dhe në të mund të jenë përfshirë persona të tjerë, e konfirmon në një formë edhe komandanti i Policisë në Gjakovë, Kristë Gjoka.

Gjokaj foli për Gazetën Metro duke mos dhënë ndonjë detaj konkret, mirëpo tha se të gjitha pistat po hetohen. Ai madje kërkoi që të kihet kujdes, meqë rasti është i ndjeshëm.

“Nuk dua të jap shumë informacione dhe detaje sepse po na ndërhyni në punën që po e bëjmë dhe po na dëmtoni në hetim, rasti është shumë i ndjeshëm, asnjë pistë nuk përjashtohet kur jemi duke hetuar një rast të caktuar, jemi në fillimin e hetimeve andaj nuk mund të jap asnjë informacion në lidhje me këtë rast”, ka thënë Gjokaj.

Policia ndërkaq, nuk e përjashton dyshimin e parë se aktori ka vrarë veten, duke shtuar se këtë gjë përfundimisht do ta konfirmojë autopsia.

Sidoqoftë, edhe dje u tha nga disa të afërm të aktorit se i ndjeri kishte probleme me borxhe. Sipas kolegëve të serialit “O Sa Mirë”, Arti përballej me probleme financiare dhe si person ishte shumë i paparashikueshëm.

Ndërkohë, Policia e Kosovës bën të ditur se shumë shpejt do të dalë me një përfundim në lidhje me rastin. Familja e të ndjerit, në anën tjetër, deri më tani nuk është deklaruar për rastin.