Konfirmohet aktakuza ndaj dy ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën në rastin e dy ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Lajme

11/04/2018 16:52

Gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, në seancën e së mërkurës, ka nxjerrë aktvendim, sipas të cilit, ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Haliti, avokati Ramiz Krasniqi, ka kërkuar që aktakuza të hudhet poshtë, me arsyetimin se vepra penale për të cilën po akuzohet i mbrojturi i tij, tanimë ka arritur parashkrimin.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Skender Canolli, avokatja Ibadete Veliqi-Ajvazi, në kërkesën e tij, ka deklaruar se aktakuza nuk është e mbështetur në prova dhe se Prokuroria e kishte ngritur atë pas afatit të lejuar ligjor.

Në seancën fillestare të mbajtur më 9 mars të këtij viti, të akuzuarit Haliti e Canolli, ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, në bashkëkryerje kanë keqpërdoruar detyrat e tyre zyrtare nga viti 2008 e deri në vitin 2014.

Prokuroria pretendon se Haliti, në pozitën e shefit të sektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës dhe Canolli si ekzekutues-përmbarues në Komunën e Prishtinës, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që Habib Vllasaliu, të fitojë çfarëdo dobie pasurore duke mos zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës, të datës 5 tetor 2006, për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje, në pronën e Vllasaliut.

Gjithmonë sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Haliti është njoftuar në formë të shkruar nga inspektorët e ndërtimit se duhet të veprohet në bazë të aktvendimit të 5 tetorit 2006, dhe të rrënohet objekti, të akuzuarit nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i mundësuar Vllasaliut të përfitojë dobi pasurore nga ndërtimi që prokuroria e konsideron pa leje.

Ndryshe, ndaj Ismet Halitit dhe Skender Canollit, po zhvillohet edhe një procedurë tjetër penale, ku ata së bashku edhe me ish-inspektorët e tjerë të Komunës së Prishtinës, akuzohen se gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit, pasi nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e objekteve pa leje./betimiperdrejtesi.com