Rasti i “harruar” i Ramadan Mujës

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, vazhdon që të kryejë këtë funksion publik ani pse afër gjashtë muaj më parë ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit për shpërdorimin e detyrës dhe autoritetit zyrtar në katër raste të ndryshme.

Lajme

08/09/2014 09:08

Dënimi i shqiptuar nga gjykata ishte – dy vjet burgim me kusht dhe 30 muaj ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike.

Ankesa e mbrojtësit të tij në Gjykatën e Apelit e paraqitur brenda afatit ligjor e ka pezulluar ekzekutimin e aktgjykimit, ndërkohë që organet e gjyqësorit kanë pranuar se ka pasur vonesa sa i përket shqyrtimit të kësaj ankese.

Sipas zyrtarëve të gjyqësorit, del se Gjykata Themelore e Prizrenit është vonuar me dërgesën e lëndës në Gjykatën e Apelit, gjë që ka krijuar pastaj efekt zinxhirë në trajtimin e kësaj ankese.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Afërdita Kicaj ka thënë për Koha Ditore se është vonuar dërgimi i ankesës në Gjykatën e Apelit.

“Është e vërtetë që lënda është vonuar, ngase kryetari i trupit gjykues ka kërkuar afat shtesë, për shkak të ngarkesës së punës së tij dhe që është lejuar nga ana e kryetarit të Gjykatës”.

Ndërkaq, zyrtari për informim i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari ka thënë se ankesa kundër aktgjykimit të shkallës së parë në Gjykatën Themelore të Prizrenit që mban datën e 13 mars 2014 është pranuar në Gjykatën e Apelit më 8 korrik 2014.

“Lënda është dërguar te Prokuroria e Apelit për mendim më 9 korrik 2014 dhe është kthyer në Gjykatën e Apelit më 4 shtator 2014. Tani lënda do t’i caktohet një kolegji të gjyqtarëve të kryesuar nga EULEX-i, i cili kolegj do ta caktojë seancën me kohë”, ka thënë Jashari.