Rasti i 35 policëve të trafikut: Veçohet procedura për policët e Mitrovicës së Veriut dhe atyre të Jugut

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka veçuar procedurën ndaj 35 policëve të akuzuar për kryerjen e veprës penale “marrja e ryshfetit”.

Lajme

12/09/2017 12:32

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar gjyqtari i rastit, Avni Mehmeti.

Sipas vendimit, veçimi i procedurës për të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës, është bërë për shkak të ekonomizimit dhe efikasitetit të procedurës penale.

Një gjë e tillë ishte paralajmëruar edhe në seancën e  29 qershorit, e caktuar për mbajtjen e shqyrtimit fillestar.

Gjyqtari Mehmeti pati deklaruar se mos veçimi i procedurës e bën gati të pamundshme mbajtjen e rregullt të këtij gjykimi, për shkak të kushteve të vështira dhe numrit të madh të të pandehurve.

Me një propozim të tillë ishte pajtuar edhe prokurorja Zejnije Kela, meqë sipas saj një gjë të tillë e parasheh edhe ligji.

Ndryshe, shqyrtimi fillestar ndaj policëve të jugut është caktuar të mbahet më 2 tetor 2017, ndërsa për policët e veriut më 3 tetor 2017, të dy shqyrtimet në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë i akuzon policët Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Destan Rrecaj, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala, Vojkan Stepiq, Vasko Raduloviq, Shefqet Maxhuni, Srdjan Zivkoviq, Sinisha Milutinoviq, Milan Jovanoviq, Sllavisha Filipoviq, Nedzad Islamoviq, Zmajko Milenkoviq, Sdrjan Djoroviq, Branko Radosavljeviq, Milan Vitkoviq, Stevica Ignjatoviq, Zlatomir Simoviq, Milijan Jovanoviq, Vesko Kandiq, Srdjan Milojeviq, Manjole Vlaskoviq, Milorad Mitroviq dhe Milijan Miliceviq, se duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare si punonjës të Policisë së Kosovës në Njësinë Rajonale të Komunikacionit, kanë pranuar para në shuma të ndryshme  nga kundërvajtësit në trafik.

Sipas aktakuzës, shumat e parave i kanë ndarë në mes tyre në pjesë të barabarta, e disa i kanë mbajtur për vete, me qëllim të mos shqiptimit të tiketave me gjobë për shkak të shkeljeve të dispozitave  të Ligjit mbi komunikacionin rrugor.

Vepra penale  “marrja e ryshfetit” dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.