Rastet emergjente, mbi normën e OBSH-së

Numri i qytetarëve të cilët kërkojnë ndihmë në Klinikën Emergjente në Kosovë është më i madh se norma e parashikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Lajme

20/08/2014 10:01

Sipas kësaj norme, brenda një viti duhet të kërkojnë ndihmë emergjente mbi 19 mijë raste, ndërsa, vetëm për periudhën janar-qershor në Kosovë kanë kërkuar ndihmë mbi 20 mijë raste.

Kurse, në periudhën janar-qershor, nga 2 mijë e 85 aksidente, kanë vdekur 12 persona në këtë klinikë.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se shumica e këtyre rasteve që kanë kërkuar ndihmë emergjente janë si pasojë e aksidenteve rrugore, të cilat janë shpeshtuar në Kosovë.

Sipas tij, numri i atyre të cilët kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Emergjente ka ardhur si pasojë e përleshjeve, rrahjeve apo formave të ndryshme të ushtrimit të forcës fizike, andaj shpreson që ky vit mos të përsëritet në të ardhmen.

“Vetëm për periudhën janar–qershor të vitit 2014, gjithsej në Klinikën tonë Emergjente kanë kërkuar ndihmën mjekësore mbi 20 mijë raste, ndërsa, sipas normativit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në shërbime emergjente brenda një viti duhet të kërkojnë 19250 raste. Në krahasim me muajin korrik edhe gusht është një tendencë e rritjes së gjendjeve aksidentale: në rend të parë të aksidenteve në komunikacion, rrahjeve, plagosjeve dhe përleshjeve apo ushtrimit të forcës fizike. Janë që ndodhin tek gjenerata mes moshës 15 dhe 35, moshë që zakonisht i paraprinë ngatërresave”, ka deklaruar Lenjani.

Sipas tij, gjatë një viti, korriku dhe gushti janë muajt të cilët konsiderohen si muajt më të ngarkuar për shërbime emergjente.

Ai ka thënë se ndryshimi i klimës për këta dy muaj ndikon drejtë për drejtë tek personat të cilët kanë sëmundje të ndryshme.

Lenjani ka thënë se Klinika Emergjente me 25 mjekë specialist dhe stafin e saj është e gatshme që vazhdimisht të ofrojë kujdes shëndetësor emergjent për të gjitha grupo moshat.

Megjithatë sipas tij, asnjë pacient i lënduar pa rekomandim të mjekut familjar nuk duhet të paraqitet në shërbimin e tyre, përveç rastet kur rrezikohet jeta e pacientit si goditja në tru, në zemër, aksidente e tjera.

“Asnjë pacient i lënduar pa rekomandim të mjekut familjar të mos paraqitet në shërbimin tonë. Vetëm për ato raste ku nuk ka mundësi të gjendet një formë e marrjes së udhëzimit, raste të cilave iu rrezikohet jeta si: goditje në tru, goditje në zemër, gjendje aksidentale, mbytjet në ujë, mbytjet nga rryma elektrike. Do të thotë këto nuk kërkojnë ndonjë kriter që duhet të kenë udhëzime, këto paraprakisht janë raste emergjente të cilat duhet të vijnë në shërbimin tonë”, është shprehur Lenjani. /KosovaPress/