Rastet e rënda kardiake nuk shërohen në Kosovë

Qytetarët e Kosovës të cilët kanë probleme të rënda me zemër, siç njihet në mjekësi infarkt akut, nuk mund të gjejnë shërim në Kosovë. Ministri Agani thotë se ka rënë dukshëm numri i personave që kërkojnë shërim jashtë vendit me sëmundje kardiake.

Lajme

26/03/2014 18:55

Të vetmet operacione që mund të bëjë Klinika e Kardiologjisë në QKUK janë raste më të lehta të sëmundjeve të zemrës dhe rastet e rënda menjëherë drejtohen jashtë vendit.

Bedri Daiti drejtor i Klinës së Kardiologjisë në QKUK thotë se rastet me infarkt akut janë dërguar gjithmonë për tretman jashtë vendit.

“E dimë që rastet që kanë kërkuar më shumë shërim janë infarkti akut dhe këto raste të gjitha janë dërguar jashtë klinikës”, ka thënë Daiti për KTV.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani thotë se ka rënë dukshëm numri i personave që kërkojnë shërim jashtë vendit me sëmundje kardiake.

Por ai pranon se fondi prej 3 milionë eurosh për intervenim jashtë shtetit është shumë i vogël.

Për këtë gjë, thotë Agani janë nënshkruar një sërë marrëveshjes me klinikat jashtë vendi, që këtyre rasteve të ju gjendet zgjidhje.

“Kemi një marrëveshje bashkëpunimi me Insitutin Ngazëllimi në Gjenova një qendër për këto sëmundje, me të cilin kemi një marrëveshje të nënshkruar për që çfarëdo patologjie që është në zemër që kanë fëmijët, ne i paguajmë 9 mijë e 200 euro për intervenimin”.

Secili qytetarë duhet të ketë një faturë nëse i gjen vet kontaktet me spitalet jashtë vendit. Ndërkohë, në Klinikën e Kardiologjisë pritet që nga muaji prill të vijnë aparatet ISD të cilat vendosen në zemër dhe mbajnë ritmin e zemrës dhe të cilat nuk kanë nevojë që të ndërrohen për 10 vite.

Ndërkohë, në Kosovë ka një sërë klinika private të cilat kryejnë këto lloj operacionesh por që kushtojnë shumë.