Rashkaj e komenton vendimin e Ismajlit: “Lojtar jo profesional, nuk na duhen te Kosova”

Të gjithë e kujtojmë Anel Rashkajn, që në marsin e vitit 2014, me përulësi kishte pranuar të përfaqësonte Kosovën, atëkohë ende të papranuar në organizatat më të mëdha të futbollit, si në UEFA dhe në FIFA.

Sport

13/11/2018 22:22

Djaloshi nga Prizreni, ishte një nga 23 futbollistët e ftuar nga trajneri Albert Bunjaki për ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare të Kosovës ndaj Haitit, e cila ishte zhvilluar në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë.

Ndeshja ndaj Haitit, edhe pse përfundoi 0-0, bën pjesë në ndeshjet e pakta që pavarësisht rezultatit arrin të dhurojnë emocione të papërshkrueshme, që mbesin në kujtesën e tifozëve përherë, që shënon fundin e një izolimi të padrejtë ndaj futbollit të Kosovës.

Katër vite nga ajo kohë, Përfaqësuesja e Kosovës ka përjetuar ndryshime të mëdha në skuadër, filluar edhe nga trajneri.

Sot pjesë e Kosovës nuk është as kapiteni i sfidës ndaj Haitit, Anel Rashkaj, i cili ka pranuar që ecuria e tij në vitet e fundit nuk i premton një vend në ekipin e ‘Dardanëve’, por i quan qesharake vendimet e disa lojtarëve që lëshojnë ekipin e Kosovës shkaku i mos paraqitjeve.

Veprim të njëjtë së fundi ka bërë mbrojtësi Ardian Ismaili, i cili ka lënë Kosovën për t’iu bashkuar Shqipërisë, edhe pse pak muaj më parë premtoi se do të vesh ‘fanellën’ e Dardanëve.

“Edhe në kohën e Bunjakit ka pas lojtarë që kanë qenë shumë të zhgënjyer që nuk kanë startuar në ndonjë ndeshje, mendoj që kjo është qesharake, si mundet një lojtar me i vendos kushte Përfaqësueses për me lu startues. Këtu kemi të bëjmë me lojtar jo profesional dhe individë të tillë është më mirë mos me i pasë në skuadrën kombëtare”, ka deklaruar Rashkaj për Gazetën Metro, teksa ka komentuar vendimin e Ismailit për të kaluar te Shqipëria, përcjell ‘lajmi.net’.

Rashkaj aktualisht është pjesë e skuadrës AFC Eskilstunes në Suedi./Lajmi.net/