Rashiti: Mos zbatimit i marrëveshjeve mund të sjellë situata të pakëndshme në veri

Serbia po vazhdon ta sfidojë shtetin e Kosovës, me anë të serbëve në veri të Mitrovicës,edhe pas 8 vjetëve të shpalljes së pavarësisë. Serbët e kësaj ane, të dirigjuar nga Beogradi zyrtar, jo rrallëherë kanë sfiduar institucionet e Kosovës duke destabilizuar situatën në atë pjesë, e që Beogradi i ka shfrytëzuar për interesa të veta.

Lajme

21/03/2015 12:13

Për arsye të njëjta siç kanë deklaruar edhe vetë zyrtarë të shtetit të Kosovës, Beogradi ka forcuar mbështetjen e grupeve ilegale.

Por kjo situatë dhe tensionet e fundit në lagjen ‘Kroi i Vitakut’, ku për dy ditë me radhë, shqiptarët u penguan nga një grup i serbëve, për të punuar në shtëpitë e tyre, sipas njohësve të situatave të tilla mund të prodhojë situata të pakëndshme, nëse nuk fillojnë së zbatuari marrëveshjen e arritura në Bruksel.

Naim Rashiti analist nga Grupi Ballkanit për politika, ka thënë për lajmi.net, se nga ngjarjet e fundit nuk pret që të ketë destabilizim të situatës, por sipas tij, duhet që marrëveshjet për shuarjen e strukturave paralele, integrimi i strukturave të sigurisë dhe formimi i asociacionit të komunave, të zbatohen për të shmangur ndonjë situatë të pakëndshme.

“Jo nuk po ndodh destabilizimi. Megjithatë ngjarje të pakëndshme mund te zhvillohen nëse implementimi i marrëveshjes ngecë. Strukturat e sigurisë duhet të integrohen sa më shpejt. Komunat duhet të integrohen plotësisht, largimi i gjitha strukturave të Beogradit dhe asociacioni duhet të formohet”.

“Gjitha aspektet e marrëveshjes duhet të implementohen dhe kështu situatat do të qetësohet. Sa më shumë që zgjat kjo ‘statusquo’ aq më e vështirë do të behet situata”, është shprehur ai.

Ndryshe situata në veri të Mitrovicës nuk ishte e qetë as gjatë javës që po lëmë pas. Një grup i serbëve për dy ditë kishin penguar shqiptarët që të punonin në rindërtimin dhe ndërtimin e shtëpive të tyre në lagjen ‘Kroi i Vitakut’, duku i sulmuar ata me gurë, ku kishte dhe të lënduar.

Por, një situatë e tillë duket së më nuk do të përsëritet, pasi dy kryetarët e komunave të Mitrovicës Agim Bahtiri dhe Goran Rakiq, kanë arritur një marrëveshje që punimet mos të pengohen.

E këtë veprim të tyre, Rashitit e ka vlerësuar si hap të mirë, i cili mundëson kthimin e banorëve në atë lagje, por ka thënë se duhet ende punë për integrimin plotë të komunave.

“Është një hap i mirë i cili, nëse ka vullnet, duhet të materializohet me kthimin e banoreve. Qetësia atje ndërlidhet ngushtë me integrimin (dinamiken) e veriut, komunave dhe gjitha institucioneve të sigurisë. Prandaj duhet shumë më shumë të punohet në integrimin e plotë të komunave”.

“Është më rendësi largimi i strukturave të Beogradit. Në të njëjtën kohë Prishtina duhet ta bëjë prioritet integrimin e veriut”, ka deklaruar Rashiti për lajmi.net.