Rashiti: Mogherini do të takohet veç me presidentët

Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, ka thënë se procesi i bisedimeve përfundimtare me Serbinë kërkon konsensus të spektrit politik në vend, për shkak të dimensionit të gjerë që do të përfshijë.

Lajme

17/07/2018 18:27

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se beson që procesi do të vazhdojë si përfaqësim formal në nivel të presidentëve, por se marrëveshja mes partive politike kosovare është e domosdoshme, marrë parasysh edhe forcën e opozitës në kuvend.

Ai ka nënvizuar se nevoja që vendi të ketë thellësi në këto bisedime e bën formimin e një ekipi negociator të pashmangshëm, që mund të formohet vetëm pasi partitë t’i kenë formësuar qartë qëndrimet e veta për procesin.

“Besoj që Federica Mogherini do të vazhdojë me takime të shpeshta vetëm me presidentët. Delegacioni kosovar shkon nesër për takim me të për ta diskutuar procesin e dialogut. Një prej temave kryesore është të shihet a ka hapësirë për implementimin e marrëveshjeve të kaluara para marrëveshjes gjithë-përfshirëse. Unë mendoj që as Kosova as Serbia nuk kanë interesim për ta bërë këtë gjë”.

“Takimi i nesërm nuk i dëmton përpjekjet për të pasur ekip negociator dhe për ta konsoliduar qëndrimin për dialogun. Por si proces nuk mund të kryhet pa opozitën, veçanërisht marrë parasysh numrat. Besoj që do të ketë gjithë-përfshirje, me ndarje të drejtë, për këtë proces”.

“Kjo bindje(se procesi tashmë ka mbaruar dhe gjithçka është formale) i ka shtyrë subjektet politike të tërhiqen, sepse thonë ‘nëse negociatat kanë mbaruar, pse të jemi pjesë e procesit?’. Subjektet politike nuk kanë qëndrime të konsoliduara për këtë çështje. Kuvendi duhet ta gjejë një formulë që ta emërojë një ekip negociator. Pamundësia e subjekteve për t’i formësuar qëndrimet e veta e ka pamundësuar ecjen përpara”.

“Do të jetë e vështirë të vijmë në pikën kur subjektet do të pajtohen për emërimin e një ekipi negociator. Janë shumë çështje të cilat duhet të diskutohen, të formulohen dhe të shkruhen. Sot asgjë nuk ka në letër. Amullia në këtë proces po e vonon rrjedhjen e tij. Ka vullnet nga miqtë ndërkombëtar për të pasur Kosova ekip negociator dhe që ata të asistojnë”.

“Përmes këtij procesi duhet të qartësohet edhe pozicioni i Kosovës në raport me BE-në, sepse shumica e vendeve të Unionit nuk e kanë të qartë, përveç Gjermanisë që e njeh mirë”.

“Po diskutohet edhe për ndryshime të kufijve, por unë nuk besoj në këtë gjë”