Rashiq: Lista Serbe nuk është e duhura për përfaqësim të serbëve në Kuvend (video)

Nenad Rashiq thotë se nuk është kundër që pika 127 të dërgohet për sqarim në Gjykatën Kushtetuese, por nuk e përkrah formën e kërkesës. Ai bënë të ditur qëndrimin pro zgjedhjeve të reja, duke e arsyetuar me faktin se komuniteti serb nuk ka përfaqësim të duhur në Kuvend.

Lajme

21/10/2014 16:58

Kryetari i Partisë Demokratike Progresiste, Nenad Rashiq e përkrah nismën e deputetëve të komuniteteve pakice, që të dërgohet për sqarim pika 127 e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Rashiq, i cili njëherit mbanë edhe postin e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, tha për lajmi.net se një sqarim nga Gjykata Kushtetuese do ishte i mirëseardhur, por nuk pajtohet më përmbajtjen e shkresës që është bërë nga deputetet e minoriteteve.

Rashiq bëri të ditur se në atë letër, përveç  përpjekjes për të zgjidhur krizën politike, thuhet se kërkohet edhe shmangia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që, sipas tij, kjo nuk është demokratike.

Ai tha për lajmi.net se përfaqësimi i komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, pas zgjedhjeve të 8 qershorit, është dëmtuar nga Lista Serbe, dhe si rrjedhojë zgjedhjet e reja ofrojnë mundësinë që ky problem të sanohet.

“Unë e përkrah esencën. Është mirë të kërkohet një shpjegim, sepse konsideroj që partitë politike shqiptare na kanë detyruar neve, partive të komuniteteve, që të bëjmë një kërkesë për sqarim shtesë që  në një element nuk është korrekte, sepse ne jemi mes dy zjarreve, dhe në fund, duhet të marrim përgjegjësinë për përgjigje nga Gjykata Kushtetuese”.

“Pajtohem me esencën se çka kërkohet nga Gjykata Kushtetuese, por jo me formën, ku përjashtohen edhe zgjedhjet”.

“Në shkresë thuhet se deputetët nga radhët e komuniteteve, duke u përpjekur që të gjendet zgjidhja brenda Parlamentit të Kosovës dhe po ashtu të shmangim zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, po e dërgojmë këtë kërkesë dhe në këtë aspekt është gabim”.

“Në këtë aspekt, nuk ka përjashtime të zgjedhjeve të reja apo zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kjo nuk është në frymën e demokracisë”.

“Nga asketi i Partisë Demokratike Progresiste, prej fillimit kemi thënë se përfaqësimi i komunitetit serb nuk është adekuat”. 

“Një numër i madh i votova të serbëve ka qenë i manipuluar nga partitë e ndryshme (i referohet Listës Serbe), dhe nga ky aspekt, jemi pro zgjedhjeve, sepse kemi qenë të dëmtuar në zgjedhjet e 8 qershorit. Përfaqësimi i serbëve në Kuvendi e Kosovës, nuk është adekuat. Ka pasur persona që brenda natës janë bërë politikan dhe kjo do të reflektojë në përfaqësimin e qytetarëve”, ka thënë Rashiq për lajmi.net.

Dy rivalët politikë, koalicioni i idhëhequr nga PDK në njërën anë dhe Blloku LDK-AAK-Nisma dhe VV në anën tjetër, për Rashiqin paraqesin mundësi për partneritet. Ai ka thënë se ka bashkëpunim dhe kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të PDK-së dhe bllokut dhe është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar pa marrë parasysh se kush do formojë qeverinë.

“Ka një mirëkuptim, tolerancë në mes neve  dhe këto kontakte do ti vazhdojmë me secilin prej akterëve nga ky konstalacion politikë”, ka thënë Rashiq.

(Lajmi.net)