Raporti pozitiv i Bankës Botërore, përcillet me rreth 1800 biznese të mbyllura

Raporti i Bankës Botërore (BB) për të “Bërit Biznes 2017” i publikuar me 25 tetor 2016, konfirmon progresin e arritur nga Republika e Kosovës në përmirësimin e mjedisit afarist, duke ngritur rangimin e saj botëror në vendin e 60-të nga vendi i 66-të sa është ranguar në raportin e vitit të kaluar.

Lajme

26/10/2016 16:54

Kosova ka shënuar progres në disa indikatorë. Në veçanti është bërë progres i konsiderueshëm në indikatorët për:

Fillimin e një Biznesi (nga vendi i 27-të në vendin e 13-të në botë)
Pagimin e Tatimeve(nga vendi i 77-të në vendin e 43-të në botë)
Tregtia Përtej Kufijve(nga vendi i 59-të në vendin e 51-të në botë)

Por për çudi numri i bizneseve të cilat janë shuar gjatë këtij viti ka shënuar rritje. Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë gjatë shtatëmuajshit të parë të këtij viti janë shuar 1463 biznese vendore dhe 30 të huaja. Këto shifra tregojnë për një ambient të pafavorshëm të bërit biznes, që si pasojë ka këtë numër kaq të lartë të shuarjes së bizneseve.

Ky numër deri në muajin tetor ka shënuar rritje të konsiderueshme, ku tash kemi të bëjmë me shifra të cilat flasin për mbi 1800 biznese të mbyllura.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se raporti i fundit i Bankës Botërore sigurisht që është një e arritur që do të ndikojë pozitivisht në imazhin e shtetit të Kosovës. Por, sipas tij ky raport më shumë ka të bëjë me hapjet e reja të bizneseve se sa për vetë të bërit biznes.

“Kosova ballafaqohet me probleme të ndryshme në sferën e ekonomisë, ku kemi numër të vogël të eksportit dhe rënie të investimeve. Biznese të shumta janë mbyllur për arsye të kushteve të pafavorshme. Nëse e krahasojmë periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, atherë mund te themi se këtë vit kemi një numër më të madh të mbylljes së bizneseve” ka Shahini.