Ranglista e re botërore e xhudos, ja ku renditen kosovarët pas katër medaljeve

Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) ka publikuar renditjen e re të përditësuar botërore.

Sport

30/10/2018 16:48

Xhudistët kosovarë, Majlinda Kelmendi, Akil Gjakova, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, që të katërtit fituan medalje në Grand Slamin e Abu Dhabit.

Në ranglistën e përditësuar botërore për seniorë, më së larti gjendet Nora Gjakova, që në këtë turne fitoi medalje të artë.

Gjakova pas këtij triumfi, tashmë renditet në pozitën e tretë në ranglistën botërore, në kategorinë -57 kilogramë.

Akil Gjakova, që e fitoi të argjendtën, me 3754 pikë në kateorinë -73 kilogramë renditet në pozitën e tetë.

Distria Krasniqi që po ashtu e fitoi të argjendtën, është në vendin e 6-të në kategroinë -52 kilogramë, me 4504 pikë të tubuara, derisa gjendet rreth 500 pikë larg top 3-shes në këtë ranglistë.

Kurse, 16 pozita më poshtë se Distria është Majlinda Kelmendi, që tashmë me 1910 pikë renditet në pozitën e 22-të.

Kampionia olimpike e Rio 2016 arriti që me t’u rikthyer nga lëndimi të kthehej te medalja, duke fituar po ashtu të argjendtën.

Majlinda u kthye me medalje, por në finale iu desh ta ndërpresë luftën shkaku i gjakderdhjes që e pësoi nga çarja në hundë.

Finalja e Majlindës ishte sfida kulmore në kthimin e saj dhe filimin e ngjitjes në ranglistën botërore dhe mbledhjen e pikëve të nevojshme për kualifikim në Lojërat Olimpike Tokyo 2020.