Ramushi, qëndrueshmëria e kundërshtimit dhe ruajtja e shtetit!

Ruajtja e shtetit dhe ruajtja e kundërshtimit është rruga e domosdoshme politike, qytetare dhe kombëtare. Vendimmarrja duhet të jetë e përbashkët, strategjike dhe e koordinuar, ndërsa kundërshtimi duhet të jetë demokratik dhe kushtetues. Për fat të mirë apo të keq (varet krejtësisht se kush e si e lexon!), kalkulimi për të dyja këto mbështetet në Ramushin.

Lajme

12/08/2016 12:19

 Shkruan: Burim RAMADANI

Qëndrueshmëria përfshin dy dimensione: edhe qëndrueshmërinë e shtetit, edhe qëndrueshmërinë e kundërshtimit!

Të dyja këto janë dhe duhet të jenë thellësisht të ndërlidhura. Nuk duhet të rrezikojnë njëra-tjetrën:

  1. Nuk duhet që për shkak të kundërshtimit të vihet në pikëpyetje qëndrueshmëria e shtetit.

Kjo do t’i bëhej dhuratë e artë kundërshtarëve të Kosovës.

  1. Nuk duhet që për shkak të qëndrueshmërisë së shtetit të zhduket kundërshtimi.

Kjo do t’i bëhej dhuratë e artë tendencave për largim nga demokratizimi.

Prandaj, ruajtja e shtetit dhe ruajtja e kundërshtimit është rruga e domosdoshme politike, qytetare dhe kombëtare.

Shteti është i përbashkët dhe nuk duhet vendosur “bomba” ndaj tij. Qofshin “bomba politike”, përmes vendimmarrjes jokonsensuale të pakuptimtë, qofshin “bomba kërcënuese”, përmes sulmeve të padobi.

As shpërthimet, as kërcënimet, as burgosjet dhe as vendimmarrja jokonsensuale nuk janë zgjidhje për këtë vend.

Kështu, vendimmarrja duhet të jetë e përbashkët, strategjike dhe e koordinuar, ndërsa kundërshtimi duhet të jetë demokratik dhe kushtetues.

Mungesa e njërës, po shkakton mungesën të tjetrës. Po rrezikohen në mënyrë të ndërsjelltë.

Bazuar në konstelacionin politik, kujtesën historike dhe personalitetin e faktorëve politik në Kosovë, në të dyja këto dimensione (edhe ruajtjen e shtetit, edhe ruajtjen e kundërshtimit) një shtyllë përbashkuese mbetet Ramush Haradinaj.

Për fat të mirë apo të keq (varet krejtësisht se kush e si e lexon dhe cilit qëllim i shërben!), në Ramushin mbështetet kalkulimi për të dy dimensionet e lartëpërmendura:

  1. Logjika dhe qëndrueshmëria institucionaliste, që nga themelimi i institucioneve të para demokratike në Kosovën e çliruar, gjithnjë ka pasur mbështetjen e fuqishme të tij.

Është e qartë se fuqia elektorale e Ramushit nuk është në përputhje të plotë me fuqinë e personalitetit të tij. E tillë ka qenë edhe në vitin 2001/2, kur Kosova ka kaluar nëpër procesin e themelimit të institucioneve. Edhe në vitin 2004/5, kur është themeluar për herë të parë relacioni pozitë-opozitë dhe, pastaj, Kosova është përballë suksesshëm dhe me stabilitet me Hagën. Edhe në vitet 2005-2007, kur Kosova ka kaluar nëpër një proces shumë të vështirë të bisedimeve për pavarësi.  Po ashtu, edhe në periudhën e pas-pavarësisë.

  1. Qëndrueshmëria e kundërshtimit, në veçanti që nga gushti i vitit 2015, ka qenë dhe mbetet e pamundshme pa Ramushin.

Ai ka zgjedhur përkrahjen e kundërshtimit, madje edhe përkohësisht në forma joparlamentare, deri pak muaj më parë, duke i dhënë jo vetëm legjitimitet, por edhe qëndrueshmëri kundërshtimit.

Nuk ka pasur fuqi më të madhe ndonjëherë kundërshtimi në Kosovë. Të tjerët janë munduar gjatë viteve për një dekadë të bëjnë kundërshtim të organizuar, por vetëm me Ramushin është arritur që kundërshtimi të jetë i fortë.

Bazuar në deklarimet publike, janë të mëdha dhe të përditshme kalkulimet për përfshirje të Ramushit në forma joinstitucionale të kundërshtimit.

Porse, qartësisht Ramushi ka ruajtur racionalitetin e kundërshtimit. Kështu, ka ruajtur qëndrueshmërinë e kundërshtimit, duke mos e rrezikuar qenësinë e shtetit.

E kuptoj se kritika e këtij shkrimi mund të ndërtohet mbi relacionet dhe njohjen personale që kam me Ramushin. E mirëkuptoj edhe nëse kritika mund të bazohet vetëm në këtë fakt publik. Por, nuk besoj se kjo është esenca.

Duke qenë i sigurt se Ramushi nuk i është shmangur racionalitetit në veprimin politik, besoj në mundësinë e zgjidhjes së një krize të këtillë politike që po kalon Kosova.

Në të vërtetë, ai e ka një zgjidhje që po e ofron, një zgjidhje për krizën.

Një krizë e tillë gjithnjë e më shumë po e rrit tensionimin e përgjithshëm. Tashmë, gati rrafsh një vit, Kosova po kalon një situatë të pakëndshme dhe të paqëndrueshme.

Gjithnjë e më shpesh duket se tensionimi i paprecedent politik mund të kalojë në situata tjera, që nuk besoj se i konvenon kujt! Bash askujt!

Nuk po flas për axhendën zhvillimore. Por, vetëm për stabilitetin.

Në fakt, koalicioni i madh (PDK, LDK dhe minoritetet) nuk kanë dhënë efektin pothuajse të vetëm të pritur: stabilitetin në “kohë jo të lehta” për Kosovën!

Deri më tash, “koha jo e lehtë” është përshkruar me bisedimet me Serbinë (që gjithnjë është i parashikueshëm tensionimi) dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi (që askush nuk ka paraparë se do të kthehet në një çështje kaq të rëndë përbrenda).

Asociacioni dhe Demarkacioni, fatkeqësisht, janë kthyer në tema ekzistenciale për Kosovën!

Fatkeqësisht, sepse është dashur që nga fillimi që të ndërtohet qasja e përbashkët nacionale, konstruktive dhe  strategjike.

Sidoqoftë, përgjegjësia është e madhe për secilin. Jo vetëm për liderët, por edhe për qytetarët veç e veç.

Një zgjidhje e përbashkët e temave përçarëse është e domosdoshme.

Kosova nuk guxon të mbahet edhe më tutje në tema ekzistenciale. Për këtë duhet domosdoshmërisht të mbizotërojë mendimi strategjik dhe unifikues.

Jo pak njerëz në Kosovë (lexo: edhe në skenën politike) kanë kalkulimet e veta personale dhe grupore, që nuk është e thënë se janë në përshtatje të plotë me qëndrueshmërinë e shtetit.

Jo pak njerëz në Kosovë (lexo: edhe në skenën politike) mund të jenë duke kalkuluar fuqizimin e vet, grupit të vet dhe synimeve të caktuara përmes ndërlikimit sa më të madh të situatës së sigurisë në Kosovë.

Nuk po pretendoj të shtjelloj interesat dhe axhendat e tyre të mundshme, por, si një vëzhgues i kujdesshëm dhe me racionalitet, besoj se javët e ardhshme janë vendimtare.

Një zgjidhje politike, me nivel burrështetasish, është e domosdoshme dhe, për më tepër, është e mundshme.

Një zgjidhje politike që mund të ruajë shtetin, në rend të parë, dhe mund të ruajë edhe kundërshtimin.

Sepse, suksesi i njërit nuk është zhdukja e tjetrit.

Sepse, sukesi në qëndrueshmërinë e shtetit nuk duhet ta zhduk kundërshtimin!

Sepse, suksesi në kundërshtim nuk duhet ta zhduk, qoftë edhe për një ditë apo një orë të vetme, shtetin!

Në këtë dimension dhe në këto javë përcaktuese, duhet të mbizotërojnë mendjet e ftohta dhe kombëtare. Duhet të gjejnë qasjen e përbashkët. Pa shpallur fitues apo humbës. Pa ndier triumf apo disfatë.

Në të kundërtën, me mbizotërimin e mendjeve euforike dhe të paqëndrueshme, vendi mund të këtë krizë edhe më të thellë.

Të gjithë do të jemi triumfues nëse kalojmë krizën.

Të gjithë do të pësojmë disfatë nëse rrokulliset ky shtet.