Ramiz Lladrovci takon Ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka pritur sot për një takim zyrtar Ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.

Lajme

17/07/2018 20:08

Në këtë vizitë të tij në Komunën e Drenasit, Ambasadori Braathu ka përgëzuar qeverisjen Lladrovci për respektim te ligjit.

Më tej gjatë këtij takimi, i pari i Drenasit ka rrëfyer në përgjithësi ambasadorin Braathu për zhvillimet në këtë komunë për respektimin e ligjit, largimin e punonjësve që kanë vepra penale, respektimin e kuotës gjinore ne qeverisje, kthimin e pronës komunale që nuk i kanë përmbushur obligimet e kontraktuara, mbrojtja e tokës bujqësore, komosative dhe komunale, fillimin e ndërtimit të rrugës me katër korsi, Polluzhe-Drenas-Komoran.

Kryetari Lladrovci ka njoftuar ambasadorin Braathu edhe për krijimin e Parkut të ri të Biznesit përballë Parkut të Biznesit, caktimin e lokacionit për ndërtimin e Stadiumit të Kosovës, ndërtimin e ujëmbledhësit në Vërboc dhe krijimin e digës për liqen ne gjatësi mbi 2 kilometra, për procedurat e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal dhe Hartave Zonale Komunale, çmimet e fituara për përformancë komunale, transparencë, për mbrojtje të mjedisit dhe çmime të tjera. Kryetari Lladrovci ka kërkuar nga misioni i OSBE-së në Kosovë të shikoj mundësit e ndihmës për zyre ligjore për të vazhduar qeverisjen ne respektim të ligjit.

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, ka falënderuar kryetarin Lladrovci për takimin dhe informatat e hollësishme të paraqitura. Braathu ka përgëzuar kryetarin Lladrovci për qeverisjen e tij në respektim të ligjit, mbrojtjen e tokave bujqësore dhe komunale.