Ramiz Lladrovci në 19 vjetorin e rënies: Rasim Kiçina, krenari e UÇK-së

Sot, nën patronatin e Kryeministrit Ramush Hardinaj, është mbajtur Akademi solemne, kushtuar heroit Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, me ç’rast u përkujtua jeta dhe vepra e paharrueshme e tyre.

Lajme

30/05/2018 18:09

Pas fjalës së rastit, të Kryekuvendarit Kadri Veseli dhe Kryeministrit Haradinaj, në fjalën e tij, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, theksoi se sot, kur nderojmë emrin, jetën dhe veprën e Rasim Kiçinës, kujtojmë dhe nderojmë njëkohësisht emrat e bashkëluftëtarëve të tij të shumtë, Ragip Halilajn, Ali Ajetin dhe emrat e një brezi të lavdishëm, të lidhur ngushtë me lindjen, rritjen zhvillimin, vizionin politik, aktivitetin ushtarak dhe strategjik të UÇK-së.

Më tej, në fjalën e rastit, Lladrovci theksoi se Kosova në fundshekullin e shkuar, kishte kaluar nëpër Epopenë e Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpër betejat, ofensivat dhe sprovat e shumta të vitit 1998, 1999, duke thyer mitin e ushtrisë dhe policisë serbe, duke rikonfirmuar pathyeshmërinë e shpirtit liridashës të Kosovës.

Në këto beteja dhe në këtë qëndresë u shqua shpirti luftarak i luftëtarit të UÇK-së, përfaqësues dhe model i të cilit ishte Komandanti Legjendar Adem Jashari, që me qëndresën dhe flijimin e tij frymëzoi luftëtarë e komandantë anembanë Kosovës. Gazetarët e huaj, në veçanti Llojd që përshkruan betejën te Gjashtë lisat ku mori pjesë Rasimi, është gazetarja amerikane Juliette Terzieff edhe ai i BBC, Vaughan Smith, në përpjekjet për të njohur dhe kontaktuar me liderët dhe komandantët e UÇK-së, bën një portretizim domethënës për Rasim Kiçinën, theksoi Lladrovci.

Rasim Kiçina, theksoi Lladrovci, i përkiste asaj gjenerate që mishëronte më së miri cilësitë e njeriut të vendosur për çlirimin e atdheut.

“Me cilësitë e larta morale e fizike, Rasim Kiçina kudo që vepronte mbillte guxim, trimëri dhe besim në radhët e ushtarëve. Me shpirtin liridashës, karakterin e fortë, trimërinë e lindur dhe zgjuarsinë e tij atij, ai rrezatonte siguri, besim dhe optimizëm edhe në çastet më të vështira”, theksoi kryetari Lladrovci.

“Rasim Kiçina ishte përfaqësues tipik i eprorit të UÇK-së që dallohej për solidaritet me ushtarin dhe qytetarin. Si epror i Zonës Operative të Drenicës, ai së bashku me shumë luftëtarë ishte pjesëmarrës i mbrojtjes së Grykës së Llapushnikut në ditët e ofensivave të furishme. Cilësitë e tij luftarake u shquan në rezistencën e njësiteve të UÇK-së gjatë kohës së ofensivave të forcave serbe në verën e vitit 1998”, vuri në dukje z. Lladrovci.

Rasim Kiçina kishte besim të patundur në luftën e drejtë të UÇK-së, ishte i zgjuar dhe inteligjent, në çdo kohë ka përkrahur vendimet e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, vendimet e Delegacionit të UÇK-së në Rambuje si dhe vizionin politik të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, theksoi z. Lladrovci, duke vënë në pah se rënia e tij dhe e Ragip Halilajt, më 30 maj 1999 ishte njëra nga humbjet më të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Z. Lladrovci, po ashtu kujtoi rënien heroike të Ali Ajetit, në po këtë datë, 10 vite para Heroit Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, një nga luftëtarët e parë kundër okupimit serb.