Ramë Buja paralajmëron rifillim të mësimit ose përballje me Ligjin

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, thotë se mësimi parafillor duhet të fillojë nesër. Sipas tij, nuk ka asnjë shqetësim në asnjë nivel shkollor. Në rast të kundërt, ai thotë se do të ndërmarrë masa ligjore në vendin ku interpretohet Ligji dhe Kushtetuta.

Lajme

10/02/2014 17:34

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, Ramë Buja, thotë se pushteti lokal nuk mund t’i nxjerrë nxënësit nga shkolla.

Sipas tij, ata s’mund të vendosin një gjë të tillë, e cila thotë se është kompetencë e pushtetit qendror dhe MASHT’it.

Buja kërkon që arsimi parafillor duhet të fillojë nesër dhe konstaton se këtu nuk ka shqetësim.

Por, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, ai mendon të ndërmarrë masa ligjore.

“Mësimi duhet të fillojë nesër, nëse nuk ka ndonjë shqetësim në këtë fushë, sepse në fakt gjitha konstatimet tek institucionet tona relevante janë të tilla që asnjë shqetësim në asnjë nivel shkollor nuk ka, ku janë të ngrohur me ngrohje nga nafta”.

Por, çfarë nëse nesër nuk fillon mësimi?

“Gjithsesi do të veprojmë konform ligjit dhe pastaj kjo mund të shkojë edhe më larg, e kjo më larg do të shkojë aty ku interpretohet Ligji dhe Kushtetuta”.

Ministri Ramë Buja këto deklarime i bëri pasdite në një konferencë për media në MASHT, ku theksoi se sistemi i ngrohjes në shkolla nuk rrezikon absolutisht ambientin shkollor.

“Nuk ka mundësi të ketë ndotje të ajrit në klasa, ngase sitemi i ngrohjes është i mbyllur në të gjitha shkollat. Oxhaqet janë të lartësisë së duhur dhe nuk rrezikojnë absolutisht ambientin shkollor”.

“Askund nuk figuron në Ligjin për Arsimin në Komunat e Kosovës që Komuna mund t’i mbyllë shkollat kur të dojë. Kjo e drejtë është e rezervuar për nivelin qendror të menaxhimit”.

“Kryetari i Komunës, respektivisht Drejtoria Komunale e Arsimit, është e obliguar të bashkëpunojë me MASHT’in dhe organet tjera profesionale që secili ta marrë rolin e vetë gjithmonë duke u mbështetur në ligjet në fuqi”.

Ndërsa për Universitetin, Ministri Buja shpreh se ka shqetësim se si po shkojnë të gjitha rrjedhat. Dorëheqja e Këshillit Drejtues e UP’së thotë se do të prosperojë akoma më shumë.

“Ju them se ka lëvizje të reja, unë dua të falënderoj pjesën e Këshillit Drejtues që është emëruar nga MASHT’i që sot ka dhënë dorëheqje dhe ka liruar rrugë për të zgjidhur problemin ashtu siç dëshirojmë, siç është kërkuar edhe në Kuvend”.

“Unë besoj se kjo do të prosperojë akoma më shumë”.

“Ne jemi në punë për ta bërë një udhëzim administrativ që nesër do të dalim me të, për të përcaktuar për veprimet e mëtutjeshme për Universitetin Publik ‘Hasan Prishtina’”.