Rambuje, vendi ku u unifikua faktori shqiptar i Kosovës

Janë bërë 16 vjet që kur përfaqësuesit politikë dhe ushtarakë të Kosovës kishin marrë rrugën për në Kështjellën e Rambujesë në Francë për të nënshkruar më pas atë që u quajt “Marrëveshja e Rambujesë”, e cila ndonëse nuk u nënshkrua nga pala serbe, mori firmën nga pala kosovare dhe gjashtë shtetet më të fuqishme të botës, që në atë kohë njihej si Grupi i Kontaktit.

Lajme

19/03/2015 18:40

Njëri ndër ata që ishte pjesë e delegacionit kosovar ishte edhe Ramë Buja, në atë kohë epror në UÇK , rrëfen për KosovaPress përjetimet e tij nga kjo konferencë.

Buja tregon se derisa delegacioni kosovar ndodhej në Kështjellën e Rambujesë për të arritur një marrëveshje paqeje me palën serbe, në Kosovë po kryhej masakra e Reçakut. Sipas tij, ndonëse konferenca e Rambujesë është kritikuar shumë, është mohuar, ngritur, ka qenë pikërisht kjo marrëveshje që ka qenë në fakt fillimi i një procesi drejtë pavarësimit të shtetit të Kosovës.

Për Bujën jo çdo gjë shkoi mirë pas Konferencës së Rambujesë, dhe sikur gjërat të kishin shkuar në një drejtim tjetër, pavarësia e vendit nuk do të vinte kaq vonë.

“Kemi gabime pas konferencës, sepse atje ne u morëm vesh që ta bënim Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, dhe nuk e bëmë të plotë, po ta bënim atë, nuk do të kishim nevojë të vinte askush më të bënte ato mekanizma që i bënë pas lufte, por do të kishim pas qeverinë tonë të plotë dhe më pastaj do të kishim vazhduar më me intensitet, dhe ndoshta kam bindjen që shpallja e pavarësisë së Kosovës në 2008 nuk do të kishte ardhur aq vonë, do të kishte ardhur më herët”, vlerësoi Buja.

Në delegacionin kosovar në Rambuje ishte edhe Edita Tahiri, e cila kujton këtë periudhë si njërën ndër momentet më të rëndësishme të historisë së vendit tonë. Sipas saj, në këtë konferencë u arrit një unifikim i rëndësishëm i palës shqiptare, derisa dihet që asokohe rezistenca paqësore me atë të armatosur nuk pajtoheshin në shumë pika.

“Momentet më të rëndësishme për mendimin tim janë uniteti që e krijuam në kuadër të delegacionit të Republikës së Kosovës, sepse para se të shkonim në Rambuje delegacioni nuk ka qenë unik, ka pas disa dallime në raporte të rezistencës paqësore dhe rezistencës ushtarake në Kosovë, apo Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe ato që unë dëshiroj me ju me i nda, është që personalisht kam luajtur një rol do të thosha të rëndësishëm në afrimin e këtyre dy faktorëve”, tha Tahiri.

Ajo duke qenë e vetmja femër në delegacionin kosovar prej 14 vetash, thekson se ndihmës të madhe në përafrimin e palëve dhe në këtë mision kishte dhënë edhe Bajram Kosumi. Për Tahirin përafrimi i rezistencës paqësore me atë ushtarake ka qenë arritja kryesore.

“E dyta që është e rëndësishme dhe dëshiroj ta veçoj, është se në fillim të negociatave në Rambuje kemi diskutuar planin politik të marrëveshjes së Rambujesëë, pjesa ushtarake apo vendosja e NATO-s në Kosovë ka filluar më pas. Në momentin kur ne na është dhënë plani edhe ushtarak për sigurinë e Kosovës, do të thosha që ishte momenti i dytë vendimtar për neve. Sepse qëllimet tona ishin që të përfundojë lufta, por edhe Kosova të vihet nën protektoratin e NATO-s, dhe më pas të një administrimi ndërkombëtar”, tha Tahiri. (Kosovapress)