Ramadani: Transformimi i FSK-së nis tani, zgjat 10 vjet

Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se është larguar çdo dilemë se deputetët serb do të përkrahin krijimin e ushtrisë së Kosovës. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës tashmë kanë nisur procedurat për transformimin e FSK-së, pavarësisht se kjo mund të përdoret si argument nga Serbia, se ushtria po bëhet pa pëlqimin e serbëve të Kosovës.

Lajme

23/09/2018 15:31

Ditë më parë një raport  i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë tregoi se largimet masive të pjesëtarëve serb të FSK-së ,janë orkestruar nga  elemente të inteligjencës ushtarake nga Beogradi dhe Vranja.

Ky konstatim është parë nga autori i raportit,Shpat Balaj si tendencë për rrëzimin e multietnicitetit. Rrjedhimisht, këto veprime kanë larguar çdo dilemë se “Lista Srbska” do t’i përkrahë ndonjëherë ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së  thotë Balaj.

“ FSK-ja është e ndërtuar mbi parimin e shumë llojllojshmërisë dhe multietnicitetit, prandaj mos ndryshimi i Kushtetutës në këtë aspekt, nuk tregon se është duke u formuar një ushtri shqiptare. Bashkësia ndërkombëtare insiston që të ketë gjithë përfshirje në çdo proces në Kosovë. Por, bashkësia ndërkombëtare e ka edhe të qartë që Lista Serbe është e pa-mundshme me e votu transformimin e FSK-së “  ka thënë Shpat Balaj.

Në hulumtim thuhet se operacioni është ndihmuar nga krerët e shtetit serb. Politologu Ramush Tahiri thotë se kjo tashmë dihet se shteti serb ka ndikim në jetën e serbëve të Kosovës.

“Në tendencat që të krijohet ushtria, ata kanë thanë (Vucic , Dacic ) pasi po donë me kriju, le ta krijojnë shqiptarët por pa serb. Dhe, kjo ka dhënë rezultate të konsiderueshme sa i përket politikës serbe. Dhe, tash janë larguar masovikisht dhe Kosova nuk po e plotëson atë kuotën e caktuar  që e ka për komunitetin serb, komunitetet tjera janë të përfaqësuara por përfaqësimi serb ka mbet që thonë për tu dëshiruar por nuk është që është plotësuar kriteri” tha Tahiri.

Rrëzimi i multnietnicitetit i synuar nga Serbia sigurisht për tu përdorur si argument nga ana e saj, se ushtria po krijohet pa pëlqimin dhe pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës, nuk shihet si problem nga drejtuesit e Forcës së Sigurisë së Kosovës.  Zëvendësministri i FSK-së Burim Ramadani i tha Radio Kosovës se transformimi i FSK-së do të nis tani dhe do të zgjasë 10 vjet, derisa, do të njihet nga të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën shtet.

“Ne kemi punuar në vazhdimësi me shtetet partnere dhe me organizatat partnere . Ushtria respektivisht FSK me mandat ushtarak e fillon trazicioni tash, do t’i merr 10 vjet proces të përmbylljes së këtij tranzicioni. Është e njohur ashtu sikurse është Kosova e njohur si shtet, pra prej të gjithëve që e njohin shtetin e Kosovës , pra do ta njohin edhe institucionet e saj, në këtë kuadër edhe ushtrinë e saj” tha Ramadani

Qeveria ditë më parë ka proceduar projektligjin për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Kurse faktori ndërkombëtar ka vazhduar të përsërisë se do të përkrah këtë proces, vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese, ku kërkohen edhe 2/3 e votave të  deputetëve të pakicave.