Ramadani: Në zgjedhje nuk duhet të shkohet kur kërkon Thaçi

Burim Ramadani thotë se është e gabueshme ideja që Kuvendi të shpërbëhet përmes marrëveshjes në mes liderëve politikë. Mendon se në zgjedhje s’duhet të shkohet bazuar në kërkesat e Hashim Thaçit. Nuk e kupton se përse Isa Mustafa po e luan lojën e PDK’së.

Lajme

23/03/2014 17:52

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e sheh si të gabueshme idenë që Kuvendi të shpërbëhet si rrjedhojë e një marrëveshjeje politike në mes të liderëve të partive kryesore, e që do t’i hapte rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, të premten ka deklaruar se javën e ardhshme mund të mbahet një takim në mes të liderëve politikë, për t’u marrë vesh për agjendën e shpërbërjes së Kuvendit.

Por, Sekretari i  Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, në një bisedë për lajmi.net thotë se nuk e kupton se përse Isa Mustafa po e luan lojën e PDK’së, duke amnistuar Qeverinë Thaçi.

Ai mendon se kjo Qeveri duhet të shkarkohet dhe të shkohet në zgjedhje, sipas kërkesave të qytetarëve dhe opozitës.

“Nuk e di a do të ketë takim, por mund të them se kjo qasje është e gabueshme. Në zgjedhje nuk duhet të shkohet sipas kërkesave të Thaçit dhe PDK’së”.

“Nuk po e kuptoj pse duhet të ketë shpërbërje të Kuvendit dhe pse Mustafa po e luan lojën e PDK’së, duke amnistuar këtë Qeverisje të keqe”.

“Ne e kemi bërë të qartë se nëse në rend dite hyn shpërbërja e Kuvendit, ne do ta votojmë atë”.

“Procesin e shpërbërjes së Kuvendit, ne e vlerësojmë si të gabueshëm, por nëse vjen në Parlament ne do ta votojmë, sepse duam zgjedhje”.

“ Edhe njëherë insistojmë tek Mustafa dhe Kurti që të nënshkruajnë mocionin e Aleancës për shkarkimin e Qeverisë dhe kjo të ndodhë sa më shpejt që është e mundur dhe askush të mos hyjë në lojërat e Thaçit për amnestimin e tij dhe Qeverisë së tij”, ka thënë Ramadani për lajmi.net.

AAK këmbëngulë që në zgjedhje të shkohet me shkarkim të Qeverisë, e jo me shpërbërje të Kuvendit.

Ambiciet për rrëzimin e Qeverisë, partia e Haradinajt i ka shfaqur përmes mocionit të mosbesimit, iniciativë e cila nuk mori përkrahjen e dy partive tjera opozitare LDK dhe Vetëvendosje.

Pas dështimit të kësaj nisme, AAK shfrytëzoi kartën tjetër. Mbledhjen e nënshkrimeve për peticion të qytetarëve, me kërkesë për t’iu drejtuar Parlamentit për shkarkimin e Qeverisë.