Rama-Tusk: Lufta ndaj terrorizmit, sfida më e madhe

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, gjatë një konference të përbashkët për shtyp të dielën në Tiranë, deklaruan se “lufta ndaj terrorizmit është sfida më e madhe me të cilën po përballet Evropa dhe bota sot”.

Lajme

22/11/2015 12:57

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk zhvilloi të dielën një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u prit në një takim nga kryeministri Edi Rama. Lufta ndaj terrorizmit, kriza e emigranteve, marrëdhëniet rajonale dhe reforma në drejtësi, ishin thelbi i takimit mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama, në deklaratën për shtyp në fund të takimit me Presidentin Tusk, duke folur për aktet terroriste të ndodhura në Paris, tha se tashmë asnjë vend nuk është i sigurt, teksa shtoi se kjo pasiguri nuk do të zmbraps Shqipërinë nga besimi i saj se qëndron në anën e duhur të historisë, përkrah aleancës së madhe të së mirës kundër të keqes.

“Tanimë askush nuk është i sigurt dhe ky është mesazhi që na përcollën terroristët. Frika terroriste kërkon të na struk pas të keqes, n ë rrobat e zeza të frikës, duke mbytur ambicien dhe shpresën, duke imponuar tjetërsimin e vetvetes. Kërkon të na mbyll në vetvete dhe ndaj të tjerëve, duke na kthyer në qenie që gjallojnë pa normat e bashkëjetesës, që mbajnë gjallë qytetërimin tonë”, tha Rama.

“Por historia ka njohur mortje edhe më të mëdha se këto shkretëtira shpirtërore, e mishëruar në trupa njerëzish të mbuluara me të zeza që përçudnojnë për t’i dhënë emrin e fesë akteve të tyre mizore, mbi njeriun dhe trashëgiminë kulturore të njeriut mbi tokë. Edhe kjo do të ketë fundin që patën të tjerat përpara kësaj dhe ne shqiptarët do të vijojmë të qëndrojmë me besim të plotë në anën e duhur të historisë, si pjesë e Europës së Bashkuar dhe aleancës së madhe të së mirës kundër të keqes”, tha ai.

“Ajo që ndodhi në Francë dhe që po ndodh përditë në formën e kërcënimeve, duhet të mos lejojmë të na prek njeriun brenda nesh. Vlerat që na kanë përcjell të parët tanë, apo që mishëron bota që kemi zgjedhur. S’ka vend për panik, s’ka vend për frikë e për të ndryshuar asgjë në rendin e ditës sonë. Shqipëria nuk është as më shumë e as më pak e kërcënuar se vendet e tjera. Duhet të jetojmë jetën tonë, pa rënë preh e frikës dhe pasigurisë që duan të kallin në zemrën e mendjen tonë luftëtarët e shkretërisë pa zot”, vijoi Kryeministri.

Ai siguroi se “Shqipëria ka marrë të gjitha masat e mundshme, edhe pse askush nuk mund të jetë jashtë rrezikut në botën që i përkasim”. “Jeta do të vazhdojë normalisht, pasi nuk ka asnjë arsye të veçantë, asnjë fakt dhe asnjë informacion të caktuar se përse ne duhet të ndihemi më të kërcënuar se të tjerët”, nënvizoi Rama.

Duke folur për progres-raportin e Bashkimit Evropian dhe rrugën e vendit tonë drejt çeljes së negociatave me BE-në, Rama tha se Shqipëria është duke u sjellë si evropiane.

“Diskutuam edhe për përballimin e rrezikut terrorist, por edhe për krizën e refugjatëve dhe rolin e Ballkanit, si pjesë e Evropës në këtë krizë. Natyrisht u ndalëm gjerë e gjatë tek Shqipëria në këtë proces zgjerimi të BE-së, pas daljes së raportit dhe në pritje të vendimeve të Këshillit të Evropës për zgjerimin. Çdo krizë është dhe një mundësi e re dhe kjo duhet të vlejë edhe më shumë për BE-në. Jo vetëm Ballkani ka nevojë për BE-në, por edhe e kundërta është e vërtetë: Ballkani jo inerci e politikës së zgjerimit, apo lojë elektorale e vendeve anëtare”, tha Rama.

Por sidoqoftë, vijoi ai, Shqipëria e ka të qartë nevojën e bërjes së detyrave të procesit të integrimit, të cilat ne i kemi bërë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë jo se i imponon Brukseli, por për të mirën e të ardhmes sonë, fëmijëve tanë”. “Jam i kënaqur se sipas vlerësimit të bërë nga Brukseli është nj? ? qëndrim pozitiv për reformat e thella të bëra nga vendi ynë. Unë e theksova dhe ritheksoj se progresi duhet të shërbej si nxitje për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm. Negociata, të cilat në kontekstin e kohës së krizave që kalojmë, janë strategjike për Shqipërinë dhe shqiptarët në tërësi, si dhe për Ballkanin e BE-në”, tha më tej Rama.

“Këto negociata nuk duhet të mbeten peng i taktikave. Vullneti ynë nënvizohet qartë në tre fjalitë e para të progres-raportit. Ne e kemi shumë të qartë që fjala kyçe është reforma në drejtësi. Unë e kam falënderuar Presidentin shumë sinqerisht për mbështetjen që BE së bashku me SHBA-në, i japin reformës që prej ditës së parë. Jam shumë besimplotë, që falë mbështetjes së tyre deri në fund, do t’ia dalim të kalojmë një reformë historike për transformimin e sistemit të drejtësisë dhe rrugës së vendit tonë drejt BE-së”, tha Rama.

Duke folur për refugjatët sirianë dhe më gjerë, ai tha se “Shqipëria nuk është e prekur nga kjo krizë, por qasja jonë do të jetë evropiane, kurdoherë që korridori i këtyre emigrantëve do të prekë vendin tonë. “Shqipëria nuk është prekur nga kriza e refugjatëve dhe nuk është pjesë e korridorit ku ata kalojnë, por e siç e kemi thënë me ardhjen e stinës së dimrit, refugjatët mund të kalojnë edhe nga territori ynë. Gjithsesi prekemi apo jo, ne jemi të gatshëm të mbështesim Evropën edhe në këtë drejtim. Ne edhe pa u çelur negociatat, sillemi si të tillë. Ne jemi me Evropën jo vetëm në ditë të mira, por edhe në ditë të këqija. Ne jemi të vendosur të jemi pjesë e çdo projekti evropian për të kontribuar sado pak e modestish në zbutjen e efekteve të kësaj krize nga ana humanitare dhe nga ana politike për BE-në, vijoi Rama, duke theksuar se edhe pa hapur akoma negociatat ne dimë të sillemi si evropian edhe më mirë se sa europianët”.

Nga ana e tij, Donald Tusk vlerësoi gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në zgjidhjen e krizës së refugjatëve. “Ballkani Perëndimor është në pararojë të tranzitit të refugjatëve”, tha ai.

Lidhur me kërcënimet terroriste, ai u shpreh se “shpresa është më e fort sesa frika”. “Besoj fort, që terroristët nuk do të na frikësojnë, sepse liria dhe solidariteti janë shumë herë më të forta se dhuna e frika. Askush nuk është vetëm sot dhe jo vetëm se jemi miq, por edhe për faktin se është detyrë e jona për të qenë bashkë përballë kësaj sfide dramatike, më e madhja e kohës sonë”, tha ai.

“Ballkani Perëndimor dhe gjithë Evropa po përballet me një sfidë shumë të madhe, me fluksin aktual të migrantëve apo refugjatëve. Unë e vlerësoj gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar për të menaxhuar këtë krizë. Niveli i kësaj sfide dhe ritmi i ngjarjeve sjell nevojën për të qenë dhe më pranë njëri-tjetrit. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pararojë e rrugës kryesore të tranzitit drejt Evropës. BE duhet që t’ju ndihmoj në menaxhimin e flukseve, siç ka ndodhur dhe me vendet e tjera, për të analizuar shkaqet që në gjenezë”, tha Tusk.

Gjithashtu ai u shpreh se “ne duhet të kontrollojmë në mënyrë efektive kufijtë e jashtëm”. “Ne duhet që këtë gjë ta bëjmë bashkërisht dhe në koordinim për të siguruar që procesi është i menaxhuar siç duhet. E kuptojmë që vendet e Ballkanit kanë nevojë për mbështetjen tonë dhe unë do të kërkoj dhe do të inkurajojë që kjo mbështetje të jetë në përpjestim me barrën në frontin e luftës dhe të vijë në kohën e duhur”, tha Tusk.

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk konference shtypiAi deklaroi se në takimin me kryeministrin Edi Rama u riafirmua angazhimi i përbashkët për vijueshmërinë e progres it të integrimit të Shqipërisë në BE. “Në mirëpritëm dhe raport-progresin, ku vihen re përmirësime të dukshme në aspektin e reformave. Ne ramë dakord për rëndësinë e mbështetjes ndërpartiake për të përfunduar reformat pezull, si ajo në gjyqësor, ku duhet forcuar pavarësia, llogaridhënia e pushteti gjyqësor”, tha Tusk.

Sipas tij, në takim u diskutua edhe për punën e mirë që ka bërë Shqipëria në politikat rajonale. “BE vlerëson dhe qëndrimet e vendit tuaj, që ju bashkua zërit të Europës për kërcënimin që Rusia shfaqi ndaj Ukrainës dhe sovranitetit dhe integritetit të saj dhe kjo është një shenjë e plotë se Shqipëria është një partner i besueshëm i BE-së”, tha Tusk.

Më herët dy zyrtarët e lartë dhe delegacionet respektive zhvilluan një takim me dyer të mbyllura, në ambientet e kryeministrisë.

Kryeministri Edi Rama priti Presidentin e Këshillit Evropian, Donald TuskNdalesa e Tusk në Tiranë ë shtë pjesë e një turi 24 orësh që Presidenti i Këshillit Europian po zhvillon në Ballkan. Tusk nisi turin e vizitave të shtunën, ku fillimisht është takuar me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Beograd. Pas konferencës me Vuçiç, Tusk ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në Tiranë ku u prit në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit nga ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha.

Po të dielën, Tusk do të shkojë në Maqedoni ku do të takohet fillimisht me presidentin, Gjorge Ivanov dhe më pas me kryeministrin, Nikola Gruevski./ATSH/