Rama thirret dëshmitar në një gjyq në Belgjikë, Berisha: Ja skandali!

Ndonëse kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë, ish-kryeministri Sali Berisha nuk i ka kursyer akuzat ndaj tij. Berisha ka deklaruar sot në Kuvend se Qeveria e Ramës po ndiqet nga skandalet.

Lajme

09/04/2015 16:41

Ish-kryeministri iu referua mediave belge, sipas të cilave mësohet se arkitekti belg Peter Suinnen, një mik i Ramës, do të ndiqet penalisht për shkak të abuzimeve me një tender. Duke bërë lidhjen me Shqipërinë, Berisha shpjegoi se studioja e Suinnen ka fituar dy tenderë në vend, atë për Sheshin Skënderbej dhe Lungomaren e Vlorës, pasi ka miqësi me kryeminstrin Rama.

“Studio e zgjedhur nga Edi Rama ka shkelur të gjitha rregullat dhe ligjet e vendit në përzgjedhjen e kompanive në funksion të qeverisë shqiptare duke shpallur fitues pikërisht studion që do të ndërtonte dhe do shtronte sheshin ‘Skëndërbej’ dhe që do ndërtonte ‘Lungomaren e Vlorës’ dhe që përfaqëson një lloj binomi të Edi Ramës në Bruksel. Suinnen që përfaqëson Edi Ramën sipas gazetave më serioze të Belgjikës do të ndiqet penalisht dhe për rrjedhojë do ketë dëshmitar kreun e Qeverisë shqiptare,” tha të enjten Berisha.

Më tej Berisha tha se Kuvendi duhet të ishte mbledhur sot për t’i hequr mandatin deputetit Koço Kokëdhima. Ai u shpreh i bindur se Kuvendi do ta mbrojë deputetin Kokëdhima, edhe pse ndaj tij rëndojnë 150 raste të shkeljes flagrante me ligjin.