Rama: S’ka qeveri teknike, në zgjedhje edhe pa PD

Kryeministri Rama tregoi se nuk është i lëkundur nga kërkesat e Partisë Demokratike për qeveri teknike dhe shtyrje të zgjedhjeve.

Lajme

19/03/2017 17:25

Pavarësisht ultimatumit të PD për mospjesëmarrje në zgjedhje, Rama theksoi se edhe pse kjo përmbën një anomali të madhe zgjedhjet do zhvilloheshin edhe pa të.

“Nuk do të ketë as qeveri teknike dhe as shtyrje të zgjedhjeve”, kjo ka qenë deklarata e kryeministrit Rama në komunikimin javor duke theksuar se PD kërkon të fusë vendin në krizë politike.

“Sot do të flas për krizën false politike të nisur nga PD. Ajo kërkon të fusë vendin në krizë politike. S’ka për të ardhur ndonjëherë oferta për qeveri teknike. S’ka për të ardhur oferta për shtyrje të zgjedhjeve”, u shpreh Rama.

Ndër të tjera kryeministri Rama i bëri thirrje Partisë Demokratike që të kthehet në Parlament për të përmbyllur procesin e Vetting-ut. Një kërkesë që ka qenë në formën e këshillës, pasi sipas Ramës mos pjesëmarrja e PD në këtë proces do ta fundoste ende pa filluar fushata elektorale.