Rama prezanton unifikimin e doganave Kosovë-Shqipëri

Edi Rama prezantoi sot unifikimin e doganave në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Ai premtoi terminale të përbashkëta doganore në pikë-kalimet kufitare në mes dy vendeve.

 

Lajme

25/04/2014 16:18

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Kosovë dhe Shqipëria do të kenë terminale të përbashkëta doganore në pikë-kalimet kufitare në mes të dy vendeve.

Gjatë një takimi të përbashkët në mes të Doganave të Shqipërisë dhe të Kosovës, Rama prezantoi një projekt për unifikimin doganave  të Kosovës dhe Shqipërisë.

Rama theksoi se prej vitesh është ngritur një barrierë e lartë që pengon ndërveprimin dhe artificialisht i ka larguar dy vendet, transmeton BalkanWeb.

“Tregjet e Kosovës dhe Shqipërisë qëndrojnë të izoluar dhe vështirësisht të aksesueshme për prodhuesit dhe tregtarët e dy shteteve. Procedurat janë të tmerrshme të gjata të lodhshme dhe shumë dekurajuese. Praktikisht mes Shqipërisë dhe Kosovës prej vitesh është ngritur një barrierë e lartë që pengon ndërveprimin dhe artificialisht i ka larguar”, ka thënë Rama.

“Sot kam privilegjin që të hap këtë takim shumë të rëndësishëm që vjen si rezultat i krijimit të Dhomës Kombëtare të Tregtisë një nismë në kohën e duhur e sipërmarrësve në dy anët e kufirit. Të kemi një interliokutor të vetëm, të kemi mundësi që të diskutojmë dhe rakordojmë duke përfituar nga ky instrument i ri dhe shumë i munguar në vite dhe tanimë i pazëvendësueshëm siç është dhoma e krijuar pak ditë më parë me iniciativën e vetë sipërmarrjes”.

Kryeministri Rama theksoi nevojën e krijimit të terminaleve të përbashkëta doganore mes dy vendeve.

“Krijimi i terminaleve të përbashkëta domosdoshmëri për të hapur procesin e lehtësimit në të gjitha aspektet”.

“Terminali i përbashkët i Morinë-Vermicës dhe zyrat doganore të përbashkëta të Morinë -Tropojës dhe Qaf Prushit janë në rendin e ditës. Kemi një terminal të përbashkët me Malin e Zi. Afrimi nuk është vetëm logjistik por njësim procedurash shkurtim drastik i kontrolleve dhe kohës së kalimit dhe padyshim mundësi e re për të goditur shfaqet korruptive dhe për të reduktuar evazionin. Një tjetër aspekt është transiti Shqipëri- Kosovë. Kemi dërguar fonde për të përshtatur”.

Ai përmendi edhe krijimin e një Këshilli Ekonomik Kombëtar për të luftuar burokracinë në të dy vendet.