Rama, për Bashën: Kur duhet të jetë në Tiranë, shkon në Shkodër

Kryeministri Edi Rama komentoi me ironi në Twitter mungesën e Lulzim Bashës në seancën e parë të Kuvendit.

Lajme

03/09/2018 19:13

Kreu i qeverisë shkroi në rrjetin social: “Kur duhet të jetë në Tiranë, shkon në Shkodër. Kur duhet të hyjë në zgjedhje, futet në çadër. Kur duhet të shkojë në punë, rrotullohet në gjumë. Kur humbet, shpall fitoren. S’kemi ç’i bëjmë, duhet të bëjmë dhe pa të”.

Në kohën që në Tiranë nisi punimet Kuvendi, opozita zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme në Shkodër, aty ku sipas kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kriminelët kanë 6 muaj që po e terrorizojnë këtë qytet.

“Në më pak se 3 muaj kanë ndodhur 6 vrasje mafioze dhe janë rrëmbyer 2 persona. Kjo është situata në Shkodër. Këtu duhet të ishte kryeministri, jo për të shitur mend dhe për të bërë batuta, por për të raportuar arrestimin e kriminelëve që kanë 6 muaj që terrorizojnë Shkodrën. Por Rama nuk mund të jetë këtu, është në Tiranë me Çyrbjen, Taulant Ballën e Fatmir Xhafën”, tha Basha.