Rama: PD të vijë për vetting-un

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje opozitës që të mos përdorë protestën dhe bojkotin e Parlamentit si alibi për të bllokuar procesin e vetting-ut.

Lajme

21/02/2017 15:09

Duke folur në një aktivitet për promovimin e femrës në Policinë e Shtetit, kreu i qeverisë ftoi opozitën të dërgojë në Komisionin e Reformës në Drejtësi përfaqësuesit e saj.

“Respekt i sinqertë për çdo njeri të zakonshëm që proteston, por jo për organizatorët e një proteste që bojkotin e Parlamentit e ka instrument për të bllokuar vetting-un. Le të provojnë të kundërtën, le të vazhdojnë të protestojnë, le të vazhdojnë ta bojkotojnë Parlamentin dhe le të çojnë atje 3 njerëz që i përfaqësojnë për të ngritur komisionet, që populli shqiptar, përmes Parlamentit dhe me Kushtetutën në dorë, të shpëtojë nga kthetrat e këtyre “killerëve” të veshur me toga të zeza”, tha Rama.

Ashpër foli edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u shpreh për disa armiq të Policisë së Shtetit: “Fronti i së keqes nuk e do policinë më të mirë, fronti i së keqes nuk do drejtësi. Armiku më i madh i policisë është gjyqtari që liron kriminelin, gjyqtari që vjedh pronën e dikujt, legjitimon vjedhjen e pronës së dikujt dhe pastaj shfaqet prapë konflikti përpara policisë”./ Top Channel