Rama: PD nuk i donte zgjedhjet, lëshimet nuk ishin sakrificë

Duke folur lidhur me marrëveshjen e arritur me PD, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se, nënshkrimi i saj nuk e ndryshon të vërtetën se PD kishte frikë nga vettingu.

Lajme

19/05/2017 19:40

“Për të njëjtën arsye ne votuam reformën kushtetuese në sekondën e fundit, sepse ata kishin frikë. Por nuk ka frikë që mund ta mbajë peng një amanet të cilit i ka ardhur koha”, ka thënë Rama.

Rama ka theksuar se, mazhoranca ka dashur gjithmonë që PD të marrë pjesë në zgjedhje, por është kjo e fundit, që sipas tij ka tentuar të sabotojë procesin.

“Sigurisht që ne i donim ata në zgjedhje, sepse duam t’i mundim. Kjo është shumë e thjeshtë dhe nuk do të kishte asnjë shije që ne të fitonim pa ata, edhe pse ne në zgjedhje do futeshim edhe pa ata. Nuk ishim ne që nuk i donim në zgjedhje, por ata që donin të na pengonin edhe neve të futeshim”, ka thënë Rama.

Rama ka shtuar se, lëshimet e bëra nga PS në negociatat me opozitën nuk do të thotë se pjesa tjetër e qeverisë është në prag të rrëzimit.

“Kemi marrë premtimin për votimin e vettingut brenda mandatit dhe që ata të kthehen brenda sistemit, por një gjë është e qartë, që ne u kemi dorëzuar qeverinë, e kemi ndarë me ata, jo ashtu siç thotë Lulëzimi, se ata që dorëzuan gjysmën e qeverisë tani do rrëzojnë gjysmën tjetër. Kjo nuk është e vërtetë. Ne kemi bërë gjënë e duhur dhe kjo nuk është një sakrificë”, ka shtuar Rama.