Rama: Paria politike e korruptuar dhe e ka harruar interesin e popullit

Njëri prej themeluesve kryesorë të Partisë Demokratike në Shqipëri dhe këshilltar i Delegacionit të Rambujesë, Shinasi Rama ka thënë se paria politike si në Kosovë si në Shqipëri kanë interesa për të ruajtur interesat e tyre feudale, dhe ata nuk janë në gjendje për të bërë zgjedhjet e duhura, në një kohë kur të dyja vendet ndodhen në një fazë tranzicionale.

Lajme

02/10/2014 01:20

Ato nuk kanë kurrfarë interesa për të zhvilluar bashkëpunimin në mes vete. Takimet e qeverive dhe zijafetet që bëhen andej e këndej nuk kanë kurrfarë rëndësie nëse nuk krijohen ura të vërteta bashkëpunimi në mes të dyja vendeve, pa marrë parasysh se kush është në pushtet, ka thënë Rama në një intervistë për Interaktiv të KTV-së.

Rama, i cili është profesor i rregullt tash e 15 vjet në Universitetin e New Yorkut – NYC, ka thënë se paria në Kosovë është e korruptuar e janë dhënë mas lekut e dinarit dhe nuk përkojnë me realitetin që e ndjen populli në raport me kombin.

“Populli i Kosovës është populli më patriot dhe e do bashkimin kombëtar”, ka thënë ai.

Ai ka pasur një përshkrim edhe për evoluimin e politikanëve që aktualisht janë në pushtet.

“Evoluimi i tyre është shumë domethënës, e kanë mësuar politikën por e kanë mësuar politikën e mbrapshtë. Kanë mësuar se e vetmja mënyrë për të mbijetuar në politikë është duke u korruptuar, duke përdorur arkën e shtetit dhe duke blerë njerëz”, ka thënë ai.

“Zoti Thaçi është pjekur, është maturuar dhe e ka gjetur veten në struktura politike. Në sjelljen e tij ka elemente pozitive por ka edhe negative. Është herët të gjykohet”, ka thënë ai, teksa ka këshilluar megjithatë se ai duhet të lëshojë rrugë për të dalë nga ngërçi politik.

Demokracia, ka thënë ai, funksionin kur udhëheqësit e kuptojnë se populli i do në opozitë.

“Vullneti i popullit duhet respektuar. Dhe LAN dhe VV i kanë votat dhe i kanë numrat”, ka thënë ai.

“Duhet kuptuar se jemi duke paguar një çmim shumë të madh. Qytetarët po presin të nisë qeverisja”, ka thënë ai.

Sa i përket Vetëvendosjes, ai ka thënë se bashkëngjitja me bllokun është një hap shumë pozitiv, kurse  fakti se ata kanë vënë kushtet se duhet të kenë një zë në bisedimet me Serbinë është po ashtu pozitive.

“Kjo do të na tregojë se sa janë në gjendje ata t’i mbrojnë interesat e popullit ashtu siç na kanë thënë”, ka thënë ai, transmeton koha.net.