Rama nis takimet me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë qëndrimit në Shkup takimet me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni i filloi me kreun e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

Lajme

17/10/2017 12:46

Pas takimit me Ramën, Sela u shpreh se sa i përket bashkëpunimit për raundin e dytë të zgjedhjeve folën vetë qytetarët me votën e tyre me 15 tetor.

“Për këtë folën qytetarët më 15 tetor. Nuk ka asnjë logjik që unë tu them se do të kem bashkëpunim me BDI-në, kur jemi në garë me BDI-në, edhe në Dibër, Strugë, Gostivar dhe komuna tjera. Sovrani foli më 15 tetor dhe natyrisht veprimet tona politike do të jenë të bazuar në bazë të mesazhit që e dha sovrani në raundin e parë”, deklaroi Sela.

Më pas, Rama ka vazhduar takimin me liderin BDI-së, Ali Ahmeti. Në fokus të bisedës mësohet se kanë qenë zgjedhjet lokale në vend.

Kreu i Lëvizjes Besa, Billal Kasami, ishte lideri i tretë me të cilin u takua kryeministri i Shqipërisë. Pas takimit me Ramën Kasami u shpreh se lidhur me koalicionet për raundin e  dytë të zgjedhjeve do të filloj bisedime me kreun e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, për ti parë mundësitë e bashkëpunimit, raporton Alsat-M, transmeton Klan Kosova.

“Sot do të komunikoj edhe me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët Zijadin Selën, që të fillojmë bisedimet dhe t’i konkretizojmë mundësitë e bashkëpunimit për balotazh që në të gjithë ato komuna ku ne shkojmë të mund të maksimizojmë rezultatin e zgjedhjeve”, u shpreh Billal Kasami.

Rama dhe Sela