Rama në Vatikan, kërkon njohjen e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama zhvilloi të enjten një takim me Papa Françeskun, në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”, kryeministri e ka cilësuar të mrekullueshme audiencën me Atin e Shenjtë.

Lajme

24/04/2014 18:14

“Audienca me Papa Franceskun një orë e mrekullueshme përballë thjeshtësisë së Njeriut”, shkruan kryeministri, njofton BW.

Ndërkohë në një njoftim nga Kryeministria, thuhet se “kryeministri shprehu vlerësimin e lartë për rolin e Papa Françeskut në drejtimin e Selisë së Shenjtë dhe përkushtimin e tij të veçantë në promovimin e vlerave të solidaritetit, përfshirjes, mundësive të barabarta dhe drejtësisë shoqërore”.

Sipas komunikatës, kryeministri Rama e ftoi Papa Françeskun të vizitojë Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën Ati i Shenjtë e mirëpriti.

Pas audiencës, Rama zhvilloi një takim me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Paroli. “Në këtë takim u diskutua për frymën e tolerancës fetare që mbizotëron në Shqipëri, si dhe rolin që Selia e Shenjtë luan në promovimin e dialogut ndërfetar dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, pas shembjes së regjimit komunist. Në takim, Kryeministri shprehu domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Vatikanit, në përputhje me realitetet e reja në rajon”, sqarohet nga Kryeministria.

Gjatë vizitës në Vatikan, Kryeministri Rama shoqërohej nga bashkëshortja Linda, ministri i Jashtëm Bushati, ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe ministrja e Arsimit Nikolla. Kjo është hera e parë që Kryeministri takohet me kreun e Selisë së Shenjtë, ndërkohë që viziton për të tretën herë Italinë, në tetë muaj qeverisje.