Rama në Serbi promovon autostradën dhe “Kurbanin”

Mediat serbe dhe ato shqiptare hodhën dy ditë më parë dritë mbi një takim që do të mbahet më 13 tetor të këtij viti mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të një forumi biznesi që do të zhvillohet në Nish të Serbisë ku të pranishëm do të jenë edhe zyrtarë të qeverisë së Kosovës.

Lajme

20/08/2016 09:01

Kreu i qeverisë shqiptare gjatë një interviste të dhënë dje për televizionin “Klan Kosova”, shprehet se nuk do të ketë mbledhje mes dy qeverive, por se ai do të jetë vetëm me përfaqësuesit e bizneseve të të dyja shteteve.

Ky forum biznesi që do të organizohet në Nish të Serbisë, sipas Ramës ka kohë që po planifikohet dhe si pikënisje ka pasur bashkëpunimin për eliminimin e barrierave tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ne jemi takuar si çdo vit tanimë në Samitin e Parisit për Ballkanin Perëndimor, dhe unë kam prezantuar me shumë krenari produktin fillestar të një pune të përbashkët, që e ka pasur zanafillën tek bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kosovës për reduktimin e barrierave tregtare”, tha Rama. Ai thotë se gjithçka ka nisur pas një bisede me drejtoreshën rajonale të Bankës Botërore, Ellen Goldstein dhe me kryeministrin Aleksandar Vuçiq.

“Duke parë rezultatet shumë inkurajuese të këtij bashkëpunimi, kam folur me drejtoren rajonale të Bankës Botërore, Ellen Goldstein, dhe po ashtu me kryeministrin Vuçiç e me të tjerët, për të ndërtuar një plan veprimi për nxitjen e tregtisë e të bashkëpunimit ekonomik në rajon. Kështu kemi bërë! Banka Botërore e ka koordinuar këtë punë përmes zyrave të veta në rajon dhe na ka asistuar me ekspertizën e saj”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare. Duke zbuluar se në këtë takim do të marrë pjesë edhe Kosova, Rama thotë se pjesëmarrja e shtetit më të ri në Europë nuk është bërë me ndërmjetësimin e tij.

“Në Nish, ky plan do të prezantohet në një forum ekonomik biznesi shqiptaro-serb. Kjo është e gjitha. Nuk e kam ndërmjetësuar pjesëmarrjen e niveleve të larta të qeverisë së Kosovës në këtë takim dhe as më është kërkuar dhe as s’e kam kërkuar një gjë të tillë”, shprehet Rama, duke shtuar se asnjëherë nuk e ka lënë Kosovën jashtë axhendave të tij.

“Nuk e ndaj asnjëherë Kosovën nga axhendat e bisedimeve të mia dhe nuk i shoh asnjëherë të ndara interesat strategjike të shqiptarëve të Shqipërisë e të Kosovës, por po ashtu, asnjëherë nuk hyj në punët e në vendimet që i takojnë qeverisë së Kosovës në raport me palët e treta! Në rast se më kërkojnë një mendim vëllazëror e jap me kënaqësi, por kurrë ndërhyrje, sepse s’e kam pare asnjëherë si diçka pozitive sjelljen e dikurshme paternaliste të Tiranës ndaj Prishtinës”, shprehet kreu i ekzekutivit, megjithëse zyrtarët e qeverisë së Kosovës nuk do të marrin pjesë në këtë takim.

Më tej Rama thotë se në takimin e Nishit do të flitet për të ardhmen e rajonit dhe bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të vendeve të Ballkanit, me qëllim rritjen e rritjen e ekonomike të vendeve të vendeve tona.

Në këtë takim pritet të diskutohet edhe për ndërtimin e segmentit rrugor Nish-Durrës, një projekt madhor që do të financohet edhe nga Bashkimi Europian me qëllim që rajoni të lehtësojë ndërlidhjet ekonomike dhe tregtare.

Sa i përket trumbetimit kritikues të mediave serbe dhe atyre kosovare mbi takimin mes dy kryeministrave, Rama tha se kjo është qesharake dhe për të ardhur keq. “Më ka ardhur keq që një gazetë nga Beogradi ka çoroditur kursin mediatik në Prishtinë! Qesharake! Si duket sëmundja e vjetër e gushtit mediatik të Tiranës e ka kapluar edhe Prishtinën”, tha kreu i qeverisë.