Rama: Mediat në Shqipëri po aq të pabesueshme sa gjykatat

Kryeministri Edi Rama i ftuar sot në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili, vazhdoi me idenë e tij, të cilën e ka artikuluar edhe më parë, se mediat në vend janë të pabesueshme.

Lajme

14/11/2017 21:34

I pyetur nga Eni Vasili se, pse gazetarët janë për t’ju qarë hallin, Rama me një gur qëlloi dy zogj.

Ai u shpreh se sot në opinionin publik, mediat janë po aq të pabesueshme sa dhe gjykatat.

Kaq shumë nuk ju pëlqejnë kritikat?

Kur isha në shkollë, rrija në fund kur bënim gjimnastikën e mëngjesit, ai që drejtonte gjimnastikën ma bënte me gisht mua, pse nuk i bën lëvizjet si duhet pavarësisht se të tjerët ishin përgjumësh. Por është efekti i gjatësisë që të vë në qendër të vëmendjes. Ka ndryshim të madh mes kritikës dhe shpifjeve të pabazuara.

Kush më njeh e di që unë stimulohem nga kritikat dhe kundërshtimet në diskutim, por kritikat ngrihen mbi ide, ndërsa balta e shpifjeve nuk është kritikë.

Ka gjithnjë një moment kur duhen thënë disa të vërteta, që s’janë absolute por janë të miat. Nuk janë strategji për të denigruar ndokënd, por është e vërtetë, për të cilën gjithkush ka arsyet e veta, por këto i kam dhe unë, jo vetëm ju.

Media e vendit tuaj është e pabesueshme, gazetarët për të qarë hallin? Pse t’ju besojmë juve për këtë që thoni?

Bëji një pyetje vetes, se pse ajo që thashë unë në konferencë nuk skandalizoi askënd. Nuk mendoj se ka ndonjë gjë për t’u çuditur nëse edhe kryeministri shpreh opinione. Bëni një anketim e do çuditeni, sot në opinionin publik mediat janë po aq të pabesueshme sa gjykatat, niveli më i ulët i besueshmërisë në Republikën e Shqipërisë./BW/