Rama i kënaqur me bashkëpunimin në mes të liderëve rajonal në Berlin

Me takimin e ministrave të ekonomisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gjermanisë dhe Austrisë, ka nisur punimet edhe Konferenca e Berlinit. 

Bota

28/08/2014 14:30

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë publike detajet e para të samitit që po mbahet në Berlin ku marrin pjesë kryeministrat e gjithë Rajonit të Ballkanit .

Rama shkruan në adresën e tij në rrjetin social tëitter se Shqipëria ka marrë vlerësime nga të gjitha palët prezentë në takimin e Berlinit që ka nisur me çështjet ekonomike të Rajonit.

“Nga çdo palë vlerësim për dokumentin e paraqitur nga Shqipëria! Konferenca startoi me ministrat e ekonomisë së Gjermanisë+Austrisë+Rajonit”, ka shkruarRama në rrjetin social Facebook e Tëitter rreth konferencës së shteteve të Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Berlin.

Kancelarja gjermane Angela Merkel sot është takuar me kryeministrat pjesëmarrës në konferencën e shteteve të Ballkanit Perëndimor, e cila po zhvillohet në Berlin, ku është i pranishëm dhe kreu i Ekzekutivit shqiptar, Edi Rama.

Merkel takohet sot edhe me pjesëmarrës në këtë konferencë, respektivisht kryeministrin e Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Kroacisë, ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë.

Ndërsa, zëdhënësi i Qeverisë gjermane Steffen Seibert në një deklaratë drejtuar mediave ka thënë se Gjermania është pro perspektivës europiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Seibert bëri të ditur agjendën e kësaj konferencë, si dhe pikat e diskutimit ku do të referohet takimi.

“Pas pjesëmarrjes së saj, para pak javësh në Takimin e Kryetarëve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit Brdo-Brijone, i cili u zhvillua më 15 korrik në Dubrovnik, Kancelarja Federale Angela Merkel, së bashku me Ministrin Federal të Ekonomisë Gabriel dhe Ministrin e Jashtëm Federal Steinmeier do të presin Kryetarët e Qeverive, Ministrat e Jashtëm dhe Ministrat e Ekonomisë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si edhe të Kroacisë dhe Sllovenisë”, thuhet në deklaratën e Seibert.

Sipas Seibert, qëllimi i kësaj nisme është trajtimi i çështjeve të hapura në rajon qysh prej shumë vitesh dhe gjenerimi i impulseve të reja për përgjigjen e tyre.

“Këtu është fjala kryesisht për forcimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit të shteteve të rajonit me njëra-tjetrën. Gjithashtu bëhet fjalë edhe për afrimin me Evropën: afrimin politik, ekonomik por edhe në pikëpamjen e shtetit të së drejtës. Në vijim do të zhvillohet një mbledhje pune. Bashkimi Evropian do të përfaqësohet në mbledhjen e Kryetarëve të Qeverive nga Kryetari i Komisionit Barroso. Më pas do të vijojë një mbledhje plenare në kuadrin e një darke pune nga ora 18:30 deri në 20:30”, përfundon deklarata e zëdhënësit të Qeverisë gjermane Steffen Seibert.