Rama: Dy shtete, një hapësirë!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, kanë përuruar në pikëkalimin doganor në Vermicë terminalin e ri doganor në mes të dy vendeve.

Lajme

16/02/2015 15:00

Kryeministri Mustafa ka thënë se është një kënaqësi e veçantë që së bashku me kryeministrin Rama po inaugurojnë një marrëveshje të përbashkët, e cila është arritur në takimin e përbashkët të dy qeverive në Prizren (kur Hashim Thaçi ishte shef i kabinetit qeveritar i Republikës së Kosovës).

“Shpresojmë se këso marrëveshje do të vazhdojmë të inaugurojmë edhe më tutje, si rezultat i bashkëpunimit tonë, si rezultat i lidhjeve tona shumë të forta, të cilat i kemi ndërtuar dhe do t’i ndërtojmë edhe në të ardhmen”, ka thënë kryeministri Mustafa.

“Bashkëpunimi ynë ekonomik, i përcjellë edhe me bashkëpunimin në fusha tjera, do të jetë shprehje e lidhjes tonë, shprehje e mosekzistimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe shprehje e synimeve tona për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe të gjitha interesat tona të përbashkëta t’i arrijmë si pjesë e familjes së madhe evropiane”.

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij, ka thënë se prej sot Kosova dhe Shqiperia do të kenë një zyrë doganore në Vermicë dhe kjo sipas tij shënon fundin e procedurave dhe kostove të dyfishta.

Në Morine me Isa Mustafën. Nga sot kufiri me zyrë të bashkuar doganore. Marrin fund procedurat e kostot e dyfishta. Dy shtete një hapësirë!”, ka shkruar kryeministri Rama në profilin e tij në Facebook.

Drejtorët e doganave të të dyja vendeve, të pranishëm në këtë ceremoni, kanë potencuar se qëllimi i terminalit të përbashkët doganor nuk është vetëm të shkurtohen procedurat kohore të zhdoganimit, por edhe të ulet kostoja nga e cila do të përfitojnë bizneset në mënyrë të drejtpërdrejt, do të përfitojnë edhe qytetarët, sepse do të realizojnë mallra dhe do t’i konsumojnë ato me çmime më të ulëta.