Rama: Diaspora rol jetik për ekzistencën e Shqipërisë

Është mbajtur pasditen e kësaj të premteje në Tiranë ceremonia përuruese e Samitit të Diasporës që do të mbajë punimet këto ditë në kryeqytetin shqiptar.

Lajme

18/11/2016 22:31

Duke marrë fjalën në këtë event, kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rëndësinë e diasporës shqiptare nëpër botë, e cila sipas tij ka luajtur një rol thelbësor për ekzistencën e Shqipërisë.

“Ky është takimi i parë i shtegtarëve shqiptarë. Mbledhja juaj sot në këtë pallat, aq saç ishte e paimagjinueshme dikur është frymëzuese për qytetarët. Të shohim të gjithë së bashku se si mund të bashkojmë fuqinë e ëndrrave, ideve dhe parave”, ka thënë Rama.

Kreu i qeverisë ka theksuar se prania e 1 mijë shqiptarëve nga 40 shtete të botës ka një rëndësi të veçantë.

“Ju jeni Shqipëria e përmbushur që ushqehet me rrënjët e asaj që quhet atdheu i shqiptarëve. Rrënjët janë të rëndësishme. Pa diasporën Shqipëria është më e cunguar, si një territor me mijëra pjesë. T’ju jesh mirënjohës që keni marrë rrugën nga 40 vende të botës është pak. Shqiptarët mund të arrijnë atë që dëshirojnë nëse bëhen bashkë”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se, diaspora duhet të shërbejë si një shkollë dijeje dhe jete, duke pasur parasysh suksesin e shqiptarëve në mërgim. Ndër të tjera, ai ka komentuar edhe mungesën e kreut të shtetit, Bujar Nishani dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, duke kërkuar një lloj ndjese në rast paqartësish në ftesën drejtuar atyre.

Në fillim të ceremonisë ishte ministri i Jashtëm Ditmir Bushati që vlerësoi rëndësinë e kontributit të diasporës shqiptare në mbarë botën. Në fjalën e tij, Bushati shprehu bindjen se ky samit do të çelë një kapitull të ri për shqiptarët kudo që ata jetojnë.

“Ne kemi hedhur një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes institucioneve të shtetit dhe diasporës”, tha Bushati, i cili e cilësoi rolin e mërgatës shqiptare si të pazëvendësueshëm.

“Rolet e diasporës shqiptare në SHBA, në Europë dhe kudo kanë qenë të rëndësishme për Shqipërinë. As Shqipëria e as Kosova nuk do të ishin sot këtu ku janë pa diasporën”, theksoi Bushati.

Shefi i diplomacisë shqiptare e vuri theksin edhe tek nevoja për ngushtimin e hendekut mes shtetit dhe diasporës, që sipas tij do të sheshojë paragjykimet që palët mund të kenë ndaj njëra-tjetrës.

“Ka ardhur koha të ndërtojmë një partneritet të qëndrueshëm me diasporën, të përfshijmë diasporën në zhvillimin ekonomik. Por partneriteti duhet të bazohet mbi solidaritetin njerëzor. Nga një marrëdhënie kur diaspora priste nga shteti ose shteti nga diaspora duhet të kalohet në një marrëdhënie ndërvepruese”, shtoi Bushati.

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e cilësoi një iniciativë të jashtëzakonshme bashkimin e diasporës shqiptare në Tiranë.

“Samiti i Diasporës i organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbledhur sot mbi 1.000 përfaqësues të diasporës nga 40 shtete të ndryshme të botës. Qysh nga koha e Rilindjes Kombëtare, deri te shpallja e pavarësisë, diaspora shqiptare ka qenë një prej shtyllave kryesore të përpjekjeve të kombit tonë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”, u shpreh Thaçi.

 

Presidenti i Kosovës vlerësoi se, diaspora sot ka nevojë për një riorganizim në mënyrë që të shndërrohet në një burim të zhvillimit social dhe ekonomik. “Ne të gjithë duhet të punojmë që diaspora shqiptare, me potencialin e madh që ka, tani të shndërrohet në partner të zhvillimit socio-ekonomik, arsimor, profesional, kulturor e sportiv të shteteve tona”, tha Thaçi, i cili shtoi se pas Tiranës, samiti i radhës i diasporës shqiptare do të mbahet në Prishtinë.