Rama dhe Vuçiq në debatin televiziv: Nuk është vonë për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve

​Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai serb Aleksandër Vuçiq, sërish janë përballur me njëri-tjetrin, por kësaj here në një debat televiziv. Ata kanë qenë të ftuar në emisionin “Fqinjësi” në Vjenë. Fillimisht kanë folur se a është vonë që të vendosen marrëdhëniet e mira mes shqiptarëve dhe serbëve. Të dy pajtohen se është vonë, por se “më mirë vonë se kurrë”.

Lajme

31/08/2015 21:27

Të dy kryeministrat thanë se nuk është vonë që shqiptarët dhe serbët të fillojnë ta bëjnë atë që është dashur ta bëjnë shumë vite më parë.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se nuk mbanë përgjegjësi pse një debat mes një politikani kryesor serb dhe një shqiptar nuk është zhvilluar 25 vjet më parë. Por lë të kuptohet se edhe pas 25 vjetësh, është më mirë “vonë se kurrë”.

“Kemi mjaftueshëm përgjegjësi për të mos u vonuar sot dhe nuk mund të mbaj përgjegjësi për 25 vjet më parë”, thotë veç tjerash Rama.

Edhe Vucic pajtohet se debati do të ishte mirë të ndodhte më parë, por se nuk duhet të “jetojmë me të kaluarën”.

“Do të ishte mirë po të kishim biseduar më parë, por nuk kam aspak problem që një pjesë të fajit edhe ta pranoj. Pse po e them këtë, sepse e di që ka edhe në Shqipëri i thonë Ramës se nuk është dashur të udhëheq një politikë të tillë. Edhe mua në Serbi mund të më thonë kështu. Tani do të punojmë në një mënyrë tjetër, duke respektuar ata dhe popullin tonë. Unë kam qenë dhe mbetem serb krenr, ashtu si Rama që do të jetë shqiptar krenar”, ka thënë Vucic.