Rama: Buxheti 2018 rrit investimet dhe ul borxhin

Teksa ka prezantuar buxhetin e vitit 2018 në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ekonomia shqiptare po rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe këtë sipas tij e konfirmojnë të dhënat e institucioneve kombëtare e ndërkombëtare.

Lajme

16/11/2017 10:50

“Në tremujorin e dytë prekëm kufirin e 4 përqindëshit dhe siç konfirmojnë të dhënat kemi një gjallërim të kërkesës së brendshme private. Dhe këtu vlen të nënvizohet rritja reale e konsumit në gjysmën e parë të vitit që po mbyllim, që vijoi në trendin pozitiv të rritjes reale mesatare të vitit të shkuar”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, i ndjeshëm është edhe përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare, me eksportet që rezultojnë me një rritje prej 13 për qind, ndërsa importet 6.3 për qind.

Sa i takon rritjes së shpenzimeve publike, investimet në gjysmën e parë të vitit u rritën me 13 për qind dhe investimet e huaja direkte shënuan një rritje prej 18 për qind krahasuar me një vit më parë.

Gjithashtu, “ka rritje të punësimit me mbi 13 për qind për 6 mujorin e parë. Niveli aktual i treguesit të ndjesisë ekonomike qëndron 14 pikë mbi mesataren afatgjatë dhe mbi 17 pikë mbi atë të afatshkurtër”, ka vijuar Rama.

Kreu i qeverisë ka theksuar se buxheti është ndërtuar i tëri me përgjegjësi dhe realizëm, duke përmendur këtu edhe shifrat e regjistruara.

“Mjafton të shohim të ardhurat nga tatimet dhe doganat që janë rritur me 7 për qind, ndërsa ato nga kontributet shoqërore me 10 për qind. Në tërësinë e vetë rritja reale ekonomike pritet të jetë 3.9 deri në 4 për qind”, ka vijuar Rama.

Ai ka shtuar se, referuar institucioneve ndërkombëtare, Shqipëria sot ka rritjen ekonomike më të madhe në rajon. Ndërkohë, “veç investimeve publike buxheti do të financojë edhe uljen e mëtejshme të borxhit publik, trendi në rënie i të cilit do të vazhdojë”, ka shtuar Rama, njofton TCH.

Ai ka saktësuar se do të jenë 86 miliardë lekë investime publike, pa përfshirë këtu programin 1 miliard për rindërtim, që ka nisur të zbatohet me projektin për rrugën e Arbrit.

Ndërkohë, investimet do të prekin edhe sektorin e arsimit, pa harruar atë të bujqësisë dhe turizmin, me kryeministrin që ka nënvizuar se kjo fushë ka nevojë për promovimin e strukturave të hotelerisë me 5 yje.

Buxheti garanton edhe zbatimin e reformës në drejtësi, si dhe më shumë investime për Policinë e Shtetit, e cila do të pajiset me aparatura teknologjike me qëllim zbardhjen e krimeve.