Rama: Bojkoti i Parlamentit mbron gjyqtarët vrasës

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar opozitën se po pengon pastrimin e drejtësisë nga funksionarët e korruptuar, të cilët sipas tij lirojnë kriminelët e arrestuar nga policia.

Lajme

21/02/2017 13:40

“Qindra krime të rënda janë krime të përsëritura nga kriminelë të arrestuar nga policia dhe të liruar në sallë nga gjyqtarë të korruptuar, për të cilët na duhet Vettingu. Është e vetmja rrugë për të çliruar popullin dhe policinë nga kthetrat e këtyre killerave, që sot mbrohen nga bojkoti i Parlamentit”, ka thënë Rama.

Në një takim për promovimin e femrës në polici, Rama ka theksuar se, “është një sfidë më vete të gjurmosh dhe arrestosh kriminelë, por është po ashtu një tradhti më vete që kriminelët e arrestuar me prova t’i rishikosh në rrugë të ribëjnë krime”.

“Ata killera të veshur me toga të zeza kanë vite që i bien me çekiç kokës të gjitha nënave që kanë humbur bijtë, të gjitha femrave të dhunuara e me radhë”, ka thënë Rama.

I pranishëm në këtë event, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka qëndruar në të njëjtat linja. “Armiku më i madh i policisë është gjyqtari që liron kriminelin”, ka thënë Tahiri.