Rama: Ballkani më i rrezikuar nga ekstremizmi fetar

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë vizitës në Rumani, ka bërë prezantimin e librit të tij ‘Kurbani’. Në këtë ceremoni, Rama ka shpalosur edhe pikëpamjet e Shqipërisë dhe të tija për çështje delikate që sfidojnë sot Europën.

Lajme

28/02/2015 14:49

Rama duke folur për të ashtuquajturin Shtet Islamik të ISIS-it, i cili, sipas kreut të qeverisë së Shqipërisë “përfaqëson një përshkallëzim ekstrem të radikalizmit islam”, dhe ka kërkuar nga Europa që të mbrohet diveristeti fetar që ekziston në Ballkan.

“Ne mendojmë që ai përshkallëzim është një arsye shumë e fortë për Europën dhe për Bashkimin Europian që këtë diversitet fetar që është në Ballkan ta marri në mbrojtje sa më shpejt, duke e përshpejtuar procesin e integrimit, duke mos bërë politika që janë taktike dhe nuk kanë asgjë strategjike në raport me vendet e Ballkanit, sepse nëse, largqoftë, ekstremizmi islam do të gjente rrugë për t’u kthyer në një nacionalizëm fetar në formën e një lëvizjeje brenda Ballkanit, do të ishte fundi i kësaj që kemi sot”, deklaroi Rama.

Nga Bukureshti Kryeministri Rama shpjegoi për herë të parë edhe pikëpamjen e tij përse ajo që e quan “islam radikal” mund të gjejë terren në disa vende ballkanike.

“Islami radikal e gjen më të lehtë që të penetrojë në territorin psikologjik të frustracionit nga hezitimi i BE-së për të vepruar me shpejtësi dhe për të na tërhequr më shpejt brenda. Radikalizmi islam vepron pikërisht në këtë territor, duke përçuar idenë se Europa nuk është rruga jonë, pasi Europa është një klub kristian dhe për këtë arsye Europa është hezituese ndaj nesh”, argumentoi Rama. /Topchanel/