Rama: Absurd, Kosova lëvizte pa viza nën diktaturë e tash jo

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, e ka cilësuar si absurd që Kosovës sot i mohohet liria e lëvizjes, ndërsa këtë mundësi e kishte në kohën e diktaturës komuniste. Ai ka kërkuar nga BE që Kosovës t’i jepet sa më parë liberalizimi i vizave. 

Lajme

30/05/2014 19:36

Rama vlerëson se Evropa ka nevojë për Ballkanin dhe sipas tij, ashtu siç i dha Serbisë hapjen e negociatave duhet ti japë Shqipërisë statusin, si dhe Kosovës lirinë e vizave. 

Kështu ka thënë ai gjatë konferencës së mbajtur në Tiranë me temë “Përafrimi i legjislacionit me BE-në”, ku u theksua se paqja sot në Ballkan ka emër të përbashkët Evropën. 

“Shqipëria i duhet Bashkimit Evropian brenda dhe për këtë arsye Ballkani i duhet Bashkimit Evropian brenda, në mënyrë që ndërveprimi në luftën kundër krimit të organizuar, të jetë një ndërveprim pa kufi, ashtë si dhe krimi i organizuar nuk ka kufi. Me një Ballkan aty te dera, me derën mbyllur BE është shumë më pak i sigurt”. 

“Besoj shumë që ashtu sikundër me të drejtë BE i dha Serbisë hapjen e negociatave duhet ti japë Shqipërisë statusin e kandidatit, duhet t’ia jap edhe Kosovës lirinë për të lëvizur sepse edhe ky është një absurd në vete, që ata lëviznin të lirë kur ishin në diktaturë dhe shkonin ku të donin dhe tani që janë të pavarur duhet të rrinë brenda se nuk kanë viza\”, tha Rama. 

Ndërsa zëvendës ambasadori i BE-së, Clive Rumbold tha se statusi nuk është fundi i reformave dhe Shqipëria ka aspiratë për tu anëtarësuar. 

Ai theksoi se Bashkimi Evropian është i angazhuar që Shqipëria të anëtarësohet.