Rakiq, Tahirit: Muri nuk rrënohet!

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i është kundërpërgjigjur deklaratave të ministres për Dialog, Edita Tahiri, e cila ka thënë se muri që është duke u ndërtuar në veri te ura do të rrënohet.

Lajme

08/12/2016 07:49

Rakiq i ka dërguar porosi Editës se muri, të cilin ai e quan “mbrojtës”, nuk do të rrënohet dhe se ajo nuk do të pyetet kurrë se çka do të ndërtohet në veri, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

“‘Mbrojtësja’ nuk do të rrënohet. Edita Tahiri nuk do të vendosë çka të ndërtohet në veri. Muri për të cilin flet Edita Tahiri nuk do të rrënohet sepse bëhet fjalë për një ‘mbrojtëse’ dhe një pjesë të projektit, të cilin përfaqësuesit e Beogradit, të Prishtinës dhe të BE-së e kanë pasur parasysh. Se çka do të ndërtohet në veri do të vendosë qeverisja lokale dhe vetë qytetarët e jo ministrja për Dialog nga Prishtina”, ka porositur Rakiq.

Në këtë mënyrë ai ka demantuar pohimet e Edita Tahirit, e cila ka deklaruar se ky “konstruksion”, siç e quan Rakiq, nuk është me Marrëveshjen e Brukselit. Rakiq ka porositur, duke folur për “Kossev”, se nuk bëhet fjalë për kurrfarë muri, shkruan “Zëri”.

“Projektin, i cili është hartuar, e kanë parë edhe përfaqësuesit e Prishtinës, të Beogradit të Bashkimit Evropian. Madje të dy firmat, njëra serbe që kryen punët në zonën e këmbësorëve dhe tjetra shqiptare, e cila kryen punët në revitalizimin e urës, bashkërisht i kanë harmonizuar punët për realizimin e këtyre dy projekteve. Andaj, nuk bëhet fjalë për diçka që figuron nga sot, në mënyrë që çdokush të befasohet”, ka thënë ai.

Ai ka sqaruar se për çfarë do të shërbejë konstruksioni prej betoni në afërsi të urës kryesore të Ibrit në Mitrovicë.

“Kjo mbrojtëse, që ata e quajnë mur, do të shërbejë, përsëris, për nivelizimin e rrugës ‘Mbreti Petër’”, si dhe për sigurinë fizike të zonës së këmbësorëve. Mbrojtësja gjithashtu do të shërbejë për izolimin e kësaj zone”, ka thënë mes tjerash kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.