Rakiq: Muri është në projekt – Bahtiri: S’është

Kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se "muri mbajtës", që është ndërtuar, është pjesë e projektit të revitalizimit të urës dhe zonës për këmbësorë.

Lajme

08/12/2016 14:30

Rakiq ka thënë se muri me siguri do të mbetet ashtu si është, me mundësi të korrigjimit. Për këtë çështje, ai ka deklaruar se ka kontakte dhe se do të bisedojë edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Kurse, kryetari i Komunës nga Mitrovica Jugore, Agim Bahtiri, tha për Radion Evropa e Lirë se muri – i cili është ndërtuar në veri, pran lumit Ibër – nuk është i paraparë me plan që të ndërtohet.

Ai tha po ashtu që janë duke u bërë përpjekje që puna pë revitalizimin e urës të mos ndalet, por jo në mënyrën se si është duke u punuar aktualisht.

“Ai (muri) është ilegal për mua dhe jemi duke punuar në mënyrë institucionale që të bëjmë gjithçka në të mirë të asaj që të jetë mirë për të gjithë qytetarët. Po punojmë ngushtë edhe me BE-në, edhe me faktorë tjerë politik ndërkombëtar e vendor, pra Qeverinë e Kosovës dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të mos ndalet puna, por jo të vazhdohet në atë formë”, tha Bahtiri.

Kryetari i Mitrovicës jugore, Agim Bahtri, tha po ashtu se vazhdimi i punimeve në atë mur është ndaluar nga autoritetet kompetente në Kosovë.

“Janë masat më të mëdha që janë duke u ndërmarrë nga Kosova dhe nga ndërkombëtarët”, tha Bahtiri.

Muri në veri të qytetit të Mitrovicës po ndërtohet në kohën kur tensionet ndërmjet grupeve etnike në qytet u zvogëluan dhe u vlerësua se po niste një periudhë e relaksimit të marrëdhënieve, përfshirë edhe procesin e revitalizimit të urës së Mitrovicës.

Ky proces u parapa me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të arritur më 25 gusht 2015, në mes të Prishtinës dhe Beogradit.