Rakiq: Deklarata e Thaçit e papërputhshme

Goran Rakiq thotë se deklarata e Kryeministrit Hashim Thaçi, nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

Lajme

20/06/2014 20:00

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, thotë se deklarata e Kryeministrit të Kosovës në largim, Hashim Thaçi, për ndërtimin e të ashtuquajturit “Parku i Paqes” në Urën e Ibrit, është e papërshtatshme.

Kryeministri aktual, Hashim Thaçi një ditë më parë kishte deklaruar se rivendosja e barrikadës në Urën e Ibrit, përmes ndërtimit të këtij parku, është lojë e turpshme dhe e rrezikshme.

Rakiq ka thënë se Kryeministri aktual Hashim Thaçi dhe ish-Kryeministri i Serbisë, tash ministër i Jashtëm, Ivica Daçiq, janë garantues të Marrëveshjes së Brukselit.

“Thaçi së bashku me kryeministrin e mëhershëm të Serbisë, Ivica Daçiq së bashku me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Catherine Ashton, janë garantues të marrëveshjes së Brukselit, por edhe të paqes e prosperitetit që na pret në këtë periudhë të stabilizimit të marrëdhënieve në mes të shqiptarëve dhe serbëve”, thuhet në komunikatën e tij.

Ai e ka përshëndetur deklaratën e zëvendëskryeministres së Kosovës, Edita Tahiri, e cila kishte deklaruar se me këtë veprim po vijnë ndryshime të mëdha.