Rajonalizmi evropian

Rajonalistët argumentojnë se njësitë sub-shtetërore duhet të fitojnë shumë prej përgjegjësive që mbahen nga qeveritë qendrore. Rajonalizmi nuk është thjesht një dëshirë e zjarrtë për një identitet të dallueshëm por ka një komponent të fuqishëm praktik.

Opinion

10/03/2014 11:25

Sfida e separatizmit skocez dhe katalanas e ka fokusuar vëmendjen në rëndësinë e rajonalizmit evropian. Teksa roli i qeverive qendrore tkurret, lëvizjet rajonale kanë për t’i dhënë trajtë të ardhmes së BE-së.

Proceset e globalizimit dhe fragmentimit janë të dy kontradiktor dhe plotësues. Rajonalizmi është një lëvizje në kundërvënie ndaj kryeqyteteve kombëtare që favorizon lidhje më direkte lokale me Brukselin. Mirëpo, ajo mund të shndërrohet gjithashtu në një lëvizje rezistence ndaj projektit të BE-së e cila mund të copëzojë kontinentin.

Për rajonalistët pro-BE-së, decentralizimi i pushtetit tregon se shtetet-kombe po bëhen të vjetëruara.

Shumë separatistë skocezë, flamandë dhe katalanas janë thekshëm pro-evropianë dhe argumentojnë se shteti-komb është thjesht tejet i madh për të menaxhuar shoqëritë komplekse dhe ekonomitë e diversifikuara. Institucionet kombëtare janë nën një trysni në rritje, teksa autoritetet decentralizohen nga kryeqytetet kombëtare në provinca dhe qytete të mëdha.

Rajonalistët argumentojnë se njësitë sub-shtetërore duhet të fitojnë shumë prej përgjegjësive që mbahen nga qeveritë qendrore. Rajonalizmi nuk është thjesht një dëshirë e zjarrtë për një identitet të dallueshëm por ka një komponent të fuqishëm praktik. Krerët rajonalë pretendojnë se ata janë më të aftë që të stimulojnë rritjen ekonomike se sa kryeqytetet kombëtare. Një sasi e madhe e investimeve kryhet në nivel lokal. Shumë prej provincave më të pasura të Evropës Perëndimore po ndërveprojnë dhe po krijojnë zona më të gjera ekonomike që kapërcejnë kufijtë kombëtarë.

Mirëpo, ka një interpretim të kundërt të rajonalizmit evropian. Nëse euro-skepticizmi populist vijon të rritet, atëherë një separatizëm sub-kombëtar më ekskluzivist mund të zhvillohet.

Mbështetësit më të zjarrtë të BE-së besonin se një identitet kozmopolit post-kombëtar do të zëvendësonte nocionet e dala mode të shteteve kombe. Por ata s’patën qëmtuar fuqinë e identitetit etnik, i lidhur ky me territorin dhe historinë, qoftë në rrafsh kombëtar qoftë në atë rajonal.

Në një kohë të pasigurisë ekonomike dhe të një ushtrie në rritje të të papunëve, rajonalizmi mund të përftojë një aromë ultra-nacionaliste. Provincat e ndara mund të provokojnë konflikte të reja teksa rajonalistët mund të manipulojnë një mori çështjesh të pazgjidhura duke shkaktuar armiqësi ndaj fqinjve rajonalë.

 

(AS)