Raiffeisen Bank dëshiron të zgjerojë dominimin në sektorin bankar të Kosovës

Sektori bankar në Kosovë pritet të pësojë ndryshime rrënjësore të cilat ndërlidhen me zhvillimet e fundit në dy prej bankave kryesore në vend. Sipas burimeve të informuara mirë, Raiffeisen Bank, e themeluar me kapital austriak dhe që operon në Kosovë që nga viti 2001 është duke negociuar blerjen e plotë të bankës TEB, e cila operon në Kosovë që nga viti 2008 dhe është themeluar me kapital turko – francez.

Lajme

28/09/2018 15:23

Sipas këtyre burimeve, blerja eventuale e TEB Bankës nga Raiffeisen Bank do të ndikonte dukshëm në ripozicionimin e sektorit bankar, meqë në këtë rast Raiffaisen bank do të merrte një pozitë dukshëm dominuese në sektorin bankar në Kosovë.

Është e paqartë nëse një blerje apo shkrirje e tillë do të mund të realizohet, kur kihet parasysh se legjislacioni vendor kundër monopoleve nuk lejon përqendrimin e më shumë se 25% të tregut për një kompani në një sektor të caktuar. Sipas të dhënave nga BQK, blerja e TEB Bankës nga Raiffeisen Bank do të krijonte një gjigant bankar në Kosovë që do të kontrollonte rreth 40% të tregut vendor. Ende nuk dihet nëse bankat e tjera konkurrente që operojnë në Kosovë do të ndërmarrin veprime ligjore për t’iu përgjigjur këtij zhvillimi të mundshëm.

Po ashtu, në rast të aprovimit të një transaksioni të tillë, shqetësimet ekzistojnë edhe për shkurtimet e mëdha të kapaciteteve aktuale të stafit të punësuar në këto dy banka. Aktualisht, vetëm TEB Banka ka afro 600 të punësuar, në 28 degë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Lajmi.net ka kontaktuar me Iliriana Tahiraj, zyrtare për media dhe marrëdhënie me publikun në Raiffeisen Bank, e cila lidhur me këtë çështje ka dhënë këtë përgjigje:

“Ne nuk mund të komentojmë sepse nuk kemi informacione për këtë çështje”.

Lajmi.net poashtu ka provuar sot gjatë gjithë ditës të kontaktojë edhe me zyrtar të bankës TEB, mirëpo nuk kanë qenë të qasshëm. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Reagon TEB Banka, mohon se do të shkrihet në Raiffeisen