RAI ndalon emetimet e videove të Shtetit Islamik

Radio-televizioni italian (RAI) ka vendosur të mos transmetojë më videot që IS fut në internet. Kështu deklaroi drejtori i përgjithshëm, Luigi Gubitosi, gjatë një seance dëgjimore në Dhomën e Deputetëve pranë Komisionit për të drejtat dhe detyrat që kanë të bëjnë me internetin.

Bota

30/03/2015 20:44

Pas një analize dhe reflektimi, shpjegoi kreu i Radio Televizionit Italian, vendosëm prerazi që të mos i japim jehonë rrëfimit propagandistik që IS bën për veten.

“Çdo lajm do të jepet pas përpunimit nga ana e gazetarëve të RAI, pa futur videot e internetit. Një vendim i fortë dhe i përgjegjshëm, që garanton edhe mbrojtjen e dinjitetit të personave”, deklaroi ai.

Sipas një anketimi të kryer kohët e fundit, 40 për qind e popullsisë në Itali përjeton një ndjesi rrethimi për shkak të terrorizmit islamik dhe të IS në veçanti.

Shoqata Evropiane e Psikiatrisë, e mbledhur këto ditë në kongresin e saj të 23-të në Vjenë, bën të ditur se diçka e ngjashme, edhe pse në nivele të ndryshme, po ndodh edhe ne vendet e tjera evropiane. /Top Channel/