Rahovecianët kundër hidrocentralit te Ura e Fshejtë, shteti nuk i dëgjon

Banorët e fshatit Gegjë të Rahovecit që jetojnë nga bujqësia janë në hall se arat, të cilat i punojnë me zell, rrezikohen të shkatërrohen. 

Lajme

20/09/2014 21:28

Krejt kjo për shkak se Komuna e Rahovecit dhe ajo e Gjakovës vite më parë kanë dhënë leje të ndërtohej një hidrocentral tek Ura e Fshejtë. 

Banorët janë kundër një ndërtimi të tillë, duke u ankuar se më nuk mund t’i mbjellin arat e tyre, prej të cilave edhe jetojnë. 

Për ndërtimin e hidrocentralit, ku do të prodhohej rrymë, banorët kanë nënshkruar edhe një peticion, por që ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje. 

Ata shprehen se edhe nëse punësohen në këtë hidrocentral, janë kundër, derisa thonë se do të mundohen në të gjitha mënyrat ta parandalojnë ndërtimin e tij. 

Por, këto ankesa të banorëve duket se nuk u morën shumë për bazë. 

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor i ka dhënë leje kompanisë të nisë ndërtimin e këtij mini-hidrocentrali. Këshilltari në Ministrinë e Mjedisit, Kreshnik Berisha, ka thënë se pavarësisht kësaj, do t’i marrin parasysh ankesat e banorëve, raporton KTV.